Shtegu “Peaks of the Balkans”, që përshkon Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, po tërheq një numër gjithnjë e më të madh turistësh ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah jo vetëm peizazhet alpine, por edhe traditat dhe mikpritjen e komuniteteve të zonave të thella malore, shkruan CNN.
Itinerari prej rreth 192 kilometrash kalon përmes Alpeve Shqiptare dhe përfshin disa prej destinacioneve më të njohura malore të vendit, si Thethi, Valbona dhe Çeremi.
Një nga segmentet kryesore lidh Thethin me Valbonën, në një distancë prej rreth 13,9 kilometrash. Prej Valbonës, itinerari vijon drejt Çeremit për rreth 19,8 kilometra.
Majat gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet alpine dhe pyjet krijojnë një prej peizazheve më karakteristike të veriut shqiptar. Megjithatë, terreni i thyer e bën udhëtimin sfidues dhe kërkon përgatitje fizike dhe pajisje të përshtatshme.
Përtej natyrës, CNN ndalet edhe te historia e Shqipërisë. Përgjatë disa zonave të itinerarit ende shihen bunkerët e betonit të ndërtuar gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, dëshmi e periudhës kur vendi qëndroi për dekada i izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Vetë “Peaks of the Balkans” u konceptua edhe si një “shteg paqeje”, për të lidhur komunitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar për një rajon të ndarë dikur nga kufijtë dhe konfliktet.
Zhvillimi i shtegut po krijon njëkohësisht mundësi të reja ekonomike për banorët. Në Çerem, Kujtim Gocaj ka zgjeruar ndër vite bujtinën e tij, e cila tashmë mund të presë deri në 36 vizitorë.
“Mësojmë shumë nga të gjithë njerëzit që vijnë këtu nga e gjithë bota”, shprehet Gocaj.
Sezoni kryesor për të përshkuar shtegun është nga qershori deri në shtator. Maji dhe tetori janë gjithashtu alternativa, por dëbora dhe oferta më e kufizuar për akomodim dhe ushqim mund ta bëjnë udhëtimin më të vështirë.
Rritja e interesit për “Peaks of the Balkans” po e shndërron turizmin malor në një mundësi të rëndësishme për zonat e thella shqiptare, duke kombinuar natyrën, historinë dhe traditat lokale me zhvillimin e turizmit ndërkufitar.


