×
Thursday, June 4, 2020

Buxheti i BE, Gjermania: Një marrëveshje e vështirë, por jo e pamundur

June 4, 2020

Një marrëveshje e 27 vendeve të BE-së për buxhetin e ardhshëm europian, para verës, duke përfshirë këtu edhe fondin për rimëkëmbjen, të propozuar nga Komisioni, është e vështirë, por e mundur, sipas Gjermanisë, që po përgatitet të marrë presidencën e  radhës të BE-së më 1 korrik.

“Ne shpresojmë të kemi një marrëveshje para pushimeve verore, në korrik. Kjo do të jetë e vështirë (…) por e mundur”, theksoi Michael Clauss, ambasadori gjerman në Bashkimin Europian, në një konferencë të organizuar nga “European Policy Centre” (EPC).

Sipas tij, një prej vështirësive kryesore është në volumin total të buxhetit.

Komisioni Europian paraqiti javën e kaluar një propozim të rishikuar të buxhetit për periudhën 2021-2027, prej 1,100 miliardë euro. Lajmi i madh është krijimi i një fondi për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së prej 750 miliardë eurosh, që do ta kompletojë.

Financuar nga huatë e realizuara nga ekzekutivi Europian në emër të BE-së, kjo do të ishte një arritje e madhe.

Faza e parë e negociatave për buxhetin shumëvjeçar, para shpërthimit të krizës së koronavirusit, tregoi tashmë vështirësitë e gjetjes së një kompromisi mes atyre që duan një buxhet të kufizuar (Holanda, Austria, Danimarka dhe Suedia) dhe atyre që kërkojnë një buxhet më të madh.

Një vështirësi tjetër sipas Clauss është dhe shpërndarja e parave nga fondi stimulues. Debati po fillon për rishpërndarjen e shumave për vendet anëtare, përmes granteve ose përmes kredive, këto të fundit për tu shlyer.

“Çelësi i shpërndarjes, por edhe kushtet që mund t’i bashkëngjiten shumave të shpërndara janë gjithashtu pika që premtojnë negociata të vështira”, shtoi ai.

Një samit europian është parashikuar më 19 qershor, nëpërmjet një video-konference, ashtu si ka qenë rasti që prej fillimit të krizës shëndetësore.

“Ky samit do të jetë një përgatitje e plotë për një samit tjetër në një datë të mëvonshme, i cili nëse është e mundur duhet të jetë një takim fizik”, theksoi Barend Leyts, zëdhënës i Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, në Twitter.

Sipas ambasadorit gjerman, ky samit i dytë mund të zhvillohet në fillim të korrikut.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për