Të paktën katër persona humbën jetën dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën pasi forcat ruse goditën një qendër tregtare në qytetin Pavlohrad, në rajonin ukrainas të Dnipros, sipas autoriteteve vendase.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ivan Vyhivsky, deklaroi se sulmi ndodhi në mes të ditës, kur në zonën qendrore të qytetit kishte shumë njerëz.
“Rusët goditën një qendër tregtare në qendër të Pavlohradit, në mes të ditës, kur kishte shumë njerëz në rrugë”, shkroi Vyhivsky në Telegram.
Kreu i administratës rajonale të Dnipros, Oleksandr Ganzha, konfirmoi bilancin prej katër viktimash dhe mbi 60 të plagosurish. Mes të lënduarve janë edhe tre fëmijë të moshave 13, 14 dhe 15 vjeç.
Autoritetet ukrainase nuk dhanë menjëherë hollësi të tjera për llojin e armës së përdorur apo për dëmet e shkaktuara në zonën përreth qendrës tregtare.
Në një zhvillim tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se pret të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork në fund të shtatorit.
Takimi pritet të zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rifilluar negociatat ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
“Besoj se në fund të shtatorit do të kemi mundësinë të takohemi me delegacionin amerikan në Nju Jork”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Kanada.
Presidenti ukrainas shtoi se pas bisedimeve me Trump mund të flasë më hapur për çështjet që lidhen me negociatat për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, Kremlini mohoi pretendimet se avioni i Zelenskyt ishte përballur me një kërcënim nga dronët gjatë nisjes nga Moldavia dy ditë më parë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se një kërcënim i tillë “nuk ka ekzistuar kurrë”.
Peskov tha gjithashtu se kushtet e Moskës për një marrëveshje paqeje me Ukrainën nuk kanë ndryshuar.
Rusia kërkon që Kievi të heqë dorë nga Donetsku, Luhansku, Zaporizhzhia dhe Khersoni, katër rajone që Moska pretendon se i ka aneksuar, si dhe të braktisë synimin për anëtarësim në NATO.
Sipas Peskov, ndryshimi i vetëm gjatë dy viteve të fundit është se, në vlerësimin e Moskës, “situata në terren është bërë shumë më e keqe për Ukrainën”.


