Trump: Votoni ose do të shkoni në ferr

11 Sep 2026 08:49
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbyllur konventën e Partisë Republikane në Dallas me një thirrje të fortë për mobilizim në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.

“Shkoni të votoni ose do të shkoni në ferr”, u tha Trump mbështetësve në fund të aktivitetit dyditor, të zhvilluar në American Airlines Center.

Zgjedhjet e mesmandatit pritet të jenë vendimtare për pjesën e mbetur të mandatit të tij, pasi rezultati do të përcaktojë balancat politike në Kongres.

Reklamë Ola

Gjatë fjalimit, Trump u kërkoi mbështetësve të silleshin sikur ai vetë të ishte kandidat në fletën e votimit.

“Bëni sikur jam unë kandidati dhe emri im është në fletëvotim”, deklaroi presidenti.

Reklamë InterMedika

Ai premtoi gjithashtu një “dividend” prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan, nëse republikanët fitojnë zgjedhjet. Trump nuk dha hollësi mbi mënyrën e financimit ose kriteret për përfitimin e pagesës.

Presidenti pretendoi se gjatë dy viteve të fundit kishte përmbushur të gjitha premtimet e tij dhe se kishte nxjerrë vendin nga një periudhë e vështirë.

“Dy vite më parë u zgjodha për të shpëtuar Amerikën dhe i kam mbajtur të gjitha premtimet. Mora momentin e errët të Amerikës dhe e shndërrova në një epokë të artë”, tha Trump.

Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja të rënda në rast të fitores së demokratëve, duke pretenduar se kundërshtarët e tij politikë do të rrisnin taksat dhe do të dëmtonin ekonominë dhe shoqërinë amerikane.

Përpara Trump, në konventë foli nënpresidenti JD Vance, i cili përmendet gjithnjë e më shumë si një kandidat i mundshëm republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Vance sulmoi demokratët, duke i cilësuar si “partia e urrejtjes”, dhe u kërkoi republikanëve të mobilizohen masivisht në nëntor.

“Ata janë partia që përbuz Amerikën. Të mos harrojmë kurrë se Amerika u përket atyre që e duan”, deklaroi Vance.

Trump foli gjithashtu për luftën me Iranin, duke thënë se nuk është penduar për vendimet e marra.

“Nuk besoj te koncepti i pendesës. Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do të veproja saktësisht njësoj”, u shpreh ai.

Sipas presidentit amerikan, Irani po dobësohet në të gjitha frontet. Duke iu referuar ngushticës së Hormuzit, Trump pretendoi se SHBA-ja ka kontroll mbi këtë korridor strategjik detar, të cilin e quajti “ngushtica e Trump”.

Në fund të fjalimit, ai u kërkoi pjesëmarrësve të ngrinin dorën dhe të përsërisnin një premtim për të votuar.

“I premtoj presidentit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili na do kaq shumë, se do të shkoj të votoj”, tha Trump, ndërsa turma përsëriti fjalët e tij.

Konventa përfundoi nën tingujt e himnit amerikan dhe me qindra balona që ranë mbi turmën, ndërsa Trump përsëriti sloganin për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”.