Ish-kapiteni i kombëtares gjermane të futbollit, Philipp Lahm, i cili udhëhoqi Gjermaninë drejt triumfit në Kupën e Botës 2014, ka marrë një rol të ri, këtë herë jashtë fushës së blertë.
Qeveria gjermane ka njoftuar emërimin e tij si ambasador të edukimit financiar, në kuadër të një strategjie të re kombëtare që synon përmirësimin e njohurive financiare të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe grave.
Lahm do ta ushtrojë këtë rol vullnetarisht, pa pagesë, së bashku me aktoren Tomomi Themann.
“Si ambasador i edukimit financiar, dua të theksoj rëndësinë e tij për marrjen e vendimeve të informuara në jetën tonë dhe të jap kontributin tim që këto njohuri të jenë të aksesueshme për të gjithë shoqërinë”, deklaroi ish-futbollisti, sipas njoftimit të Ministrisë gjermane të Financave.
Në këtë rol, Lahm do të angazhohet në aktivitete informuese në shkolla, klube dhe platforma online, duke shpjeguar tema financiare në mënyrë të thjeshtë dhe duke nxitur qytetarët të interesohen më shumë për administrimin e financave personale.
Strategji për rritjen e njohurive financiare
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, e cilësoi edukimin financiar si një element të rëndësishëm për garantimin e mundësive të barabarta.
“Edukimi financiar është çështje drejtësie. Vetëm me njohuritë e nevojshme financiare, të gjithë kanë mundësinë të ndërtojnë një jetë të pavarur dhe të vendosin për të ardhmen e tyre”, deklaroi Klingbeil.
Ministri pritet të takohet të premten me Lahm dhe nxënës të një shkolle në Berlin, ku do të diskutojnë mbi rëndësinë e edukimit financiar.
Nisma synon t’u japë qytetarëve njohuri praktike për kursimet, menaxhimin e parave dhe vendimmarrjen financiare, duke i ndihmuar të planifikojnë më mirë të ardhmen e tyre.


