Kryeministri Edi Rama e ka përqendruar një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së te Inteligjenca Artificiale, duke paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë përdorimi i saj nga shtetet dhe aktorë të tjerë.
Rama e krahasoi ndikimin e AI me transformimet historike të shkaktuara nga baruti dhe energjia bërthamore, por tha se teknologjia e re prek një dimension edhe më të drejtpërdrejtë: mënyrën se si njerëzit perceptojnë realitetin.
“IA po ndryshon diçka më intime, që mund të hyjë në mendjen e qytetarit, të fabrikojë një realitet, që të kalibrohet sipas frikërave të një personi dhe duke e bërë miliona e miliona herë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, kërcënimi kryesor nuk qëndron domosdoshmërisht te ideja se Inteligjenca Artificiale mund të dalë vetë jashtë kontrollit, por te mundësia që fuqia e saj të përdoret nga njerëzit e gabuar.
“Rreziku më i madh nuk është se IA do të ndalojë njerëzimin, por rreziku është që mund të bindë njerëzit e gabuar”, deklaroi ai.
Rama paralajmëroi veçanërisht për potencialin e teknologjisë për dezinformim në shkallë masive dhe për përdorimin e saj nga shtetet.
“Nuk mban flamur, por mund të përdoret nga një shtet. Mund të thotë miliarda gënjeshtra në emër të të tjerëve”, tha kryeministri.
Ai e çoi më tej paralajmërimin duke e lidhur Inteligjencën Artificiale edhe me sigurinë dhe përdorimin ushtarak.
“Makineria nuk ka ndërgjegje, por mund të futet në ndërgjegjen e një qeverie, në precizionin e një arme”, deklaroi Rama.
Shqipëria ka shtuar gjatë viteve të fundit përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratën publike, ndërsa qeveria ka njoftuar edhe përgatitjen e një programi kombëtar për zhvillimin dhe përdorimin e kësaj teknologjie.
Në mesazhin e tij nga OKB, Rama e zhvendosi kështu debatin nga potenciali teknologjik i AI te rreziku që ajo të shndërrohet në një instrument manipulimi, dezinformimi dhe fuqie në duart e shteteve apo aktorëve të tjerë.


