Berhami: Janë hapur qindra profile false për të sulmuar krerët e UÇK-së dhe opozitën

28 Jul 2026 23:14
Shpërndaje:

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Berhami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se prej vitesh ka ndërtuar një narrativë politike përmes deklaratave dhe profileve false në rrjetet sociale, me synimin, sipas tij, për të kontrolluar opinionin publik.

Berhami deklaroi se, veçanërisht gjatë gjashtë viteve të fundit dhe pas dërgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, janë krijuar qindra profile false që kanë zhvilluar një fushatë të organizuar kundër tyre dhe ndaj opozitës.

“Prej dy dekadash është helmuar opinioni publik nga disa deklarata, ku kryesisht Vetëvendosja i ka materializuar, duke e bërë mekanizëm për të imponuar të vërtetën. Në gjashtë vitet e fundit, sidomos pas dërgimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, janë hapur qindra profile false, të cilat në mënyrë të organizuar kanë hedhur baltë mbi krerët e UÇK-së dhe janë munduar të sulmojnë një pjesë të opozitës”, u shpreh Berhami.

Reklamë Ola

Sipas deputetit të PDK-së, qëllimi i këtyre veprimeve është politik dhe lidhet me ruajtjen e një klime urrejtjeje dhe frike.

“Kjo ka një qëllim politik dhe qëllimi është mirëmbajtja e urrejtjes dhe frikës që Kurti përdor për të kontrolluar masën dhe për të mos e lënë të ikë. Këto profile, muajt dhe vitet e fundit, kanë qenë shumë agresive dhe nuk kanë kursyer askënd”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Berhami nuk paraqiti prova konkrete për këto pretendime gjatë deklaratës së tij. Deri më tani nuk ka pasur reagim nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me akuzat e deputetit të PDK-së.