×
Friday, June 12, 2026

Begaj nga Prishtina: Shqipëria do të jetë gjithmonë mbështetja e pakushtëzuar e Kosovës

June 12, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ku vlerësoi sakrificën e luftëtarëve të lirisë, rolin e aleatëve perëndimorë dhe partneritetin e pandashëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, Begaj e cilësoi 12 Qershorin si një nga datat më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke theksuar se liria e Kosovës u arrit falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë.

Presidenti nderoi figurat historike të Kosovës, si Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe Adem Demaçi, të cilët i cilësoi simbole të rezistencës, lirisë dhe shtetformimit të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, Begaj u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Ai deklaroi se ata po përballen me një “padrejtësi të madhe historike”, duke theksuar se askush nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë gjykatë dhe asnjë tentativë për të rishkruar historinë nuk mund ta tjetërsojë të vërtetën e madhe se UÇK-ja nuk ishte agresori, por mburoja e një populli që po shfarosej”, u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të të njëjtit komb dhe se Tirana do të vazhdojë të mbështesë pa rezerva integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Sipas tij, në kushtet e sfidave të reja gjeopolitike, Kosova duhet të përshpejtojë forcimin e institucioneve, shtetit ligjor dhe procesin e njohjeve ndërkombëtare, ndërsa mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial mbetet një prioritet strategjik.

“Shqipëria është dhe do të jetë mbështetja juaj e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e përjetshme”, deklaroi Begaj nga Prishtina, duke përcjellë urimet për 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të luftës.




Comments are closed.