BE vlerëson progresin e Shqipërisë në reformat dhe fondet e anëtarësimit: 213 milionë euro të disbursuara deri tani
June 10, 2026
Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Shqipërisë zhvilluan më 9 dhe 10 qershor në Tiranë dy mbledhje të rëndësishme monitorimi për të vlerësuar ecurinë e reformave dhe përdorimin e fondeve evropiane në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF) dhe Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Takimet u bashkëkryesuan nga Koordinatorja Kombëtare e IPA-s dhe RGF-së, Eridana Çano, njëherazi Drejtore e Përgjithshme e SASPAC-ut, dhe nga Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST).
Gjatë diskutimeve u vlerësuan rezultatet e arritura, u evidentuan sfidat ekzistuese dhe u përcaktuan prioritetet për periudhën e ardhshme. Të dy instrumentet konsiderohen kyç për mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke ndihmuar në përshpejtimin e reformave dhe në sjelljen e përfitimeve konkrete për qytetarët.
Në fokus të Komisionit të dytë të Monitorimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje ishte zbatimi i Agjendës së Reformave të Shqipërisë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Progresi u analizua në pesë fusha prioritare: mjedisi i biznesit, kapitali njerëzor, energjia, transformimi digjital dhe infrastruktura, si dhe shteti i së drejtës.
Sipas të dhënave të prezantuara, që nga nisja e programit në vitin 2024, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 hapat e reformave gjatë periudhës së parë të raportimit dhe 12 nga 21 hapat e reformave në periudhën e dytë.
Si rezultat i këtij progresi, Bashkimi Evropian ka disbursuar deri më tani 213 milionë euro nga paketa totale prej 922 milionë eurosh, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me performancën më të mirë në rajon.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se Instrumenti për Reforma dhe Rritje është më shumë sesa një mekanizëm financimi.
“Mbi të gjitha, RGF-ja është një mjet për ndryshime të thella strukturore që do të ndikojnë afatgjatë në kapacitetet, kulturën e llogaridhënies dhe koherencën e politikave të shtetit shqiptar. Raporti i ardhshëm që do të dorëzohet në korrik përfaqëson një test të rëndësishëm për administratën shqiptare dhe një sinjal për partnerët tanë evropianë mbi atë që Shqipëria është e aftë të arrijë”, u shpreh Koçiu.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Sigrid Brettel, vlerësoi rezultatet e deritanishme të Shqipërisë, duke inkurajuar vijimin e ritmit të reformave.
“Performanca e Shqipërisë është e mirë dhe ne duam t’ju mbështesim që ajo të bëhet e shkëlqyer. Periudha e ardhshme e raportimit do të jetë kritike për shkak të afateve të zbatimit të reformave. Gjithashtu, Komisioni Evropian do të akordojë fonde shtesë për vendet me performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Brettel.
Komisioni Evropian theksoi se ruajtja e ritmit të reformave dhe koordinimi efektiv institucional do të jenë vendimtarë për disbursimet e ardhshme dhe avancimin e procesit të anëtarësimit.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Vjetor të Monitorimit të IPA-s u analizua progresi i rreth 150 projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, të cilat mbështesin reformat e lidhura me procesin e anëtarësimit.
Që prej vitit 2007, Bashkimi Evropian ka akorduar mbi 1.9 miliardë euro grante për Shqipërinë. Së bashku me investimet e realizuara përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, kjo mbështetje ka mobilizuar rreth 4.7 miliardë euro investime që nga viti 2008.
Komisioni Evropian vlerësoi nisjen e projekteve të reja gjatë vitit të kaluar në fusha si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e mjedisit, qeverisja vendore dhe siguria ushqimore.
Po ashtu, u bë e ditur se janë miratuar 100 milionë euro të tjera në kuadër të programit IPA 2025–2027 për të mbështetur reformat në shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe sektorët strategjikë të ekonomisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projekteve të binjakëzimit institucional, përmes të cilave Shqipëria përfiton asistencë direkte nga institucionet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në kuadër të përgatitjeve për anëtarësim.
Gjatë diskutimeve u evidentua nevoja për të përshpejtuar zbatimin e disa programeve madhore me vlerë rreth 130 milionë euro, të lidhura me transformimin digjital, eficiencën e energjisë dhe punësimin e të rinjve.
Suksesi i këtyre programeve lidhet drejtpërdrejt edhe me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Kapitullit 22 të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ngriti gjithashtu çështje që kërkojnë vëmendje të shtuar, si forcimi i kapaciteteve administrative, mbajtja e stafit të kualifikuar, përmirësimi i procedurave të kontraktimit, koordinimi i projekteve investuese dhe fuqizimi i sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
Takimet konfirmuan se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në procesin e integrimit, ndërsa rezultatet e deritanishme e pozicionojnë vendin mes përfituesve më të suksesshëm të fondeve dhe reformave në Ballkanin Perëndimor.