Rama: Më 14 korrik Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
Kryeministri Edi Rama deklaroi se më 14 korrik Shqipëria do të shënojë një tjetër hap në procesin e integrimit evropian, me zhvillimin e Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel, ku pritet të mbyllen tre kapitujt e parë të negociatave.
Rama theksoi se zhvillimi i procesit të negociatave dhe mbajtja e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë tregojnë se Shqipëria po vijon rrugën e saj drejt integrimit, pavarësisht kritikave dhe parashikimeve që, sipas tij, janë bërë gjatë kësaj periudhe.
“Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATO-s u anulua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lënë, sepse puna e tyre janë llafet, ndërsa fjala jonë është puna”, u shpreh kryeministri.
Sipas kalendarit të procesit të integrimit, Konferenca e IX Ndërqeveritare do të zhvillohet në Këshillin e Bashkimit Evropian në Bruksel, ku Shqipëria pritet të avancojë më tej në negociatat për anëtarësim duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave.







