BE prezanton strategjinë e re të zgjerimit. Ja kushtet e reja
Pak orë më parë Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit, e cila do të zbatohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas Varhelyi metodologjia e re do të riktheje besueshmërinë tek procesi i zgjerimit pasi do ta bëjë atë më transparent dhe të bazuar në meritë. Rikonceptimi i procesit të negociatava ka për qëllim që ‘të rriten shanset per vendet kandidate per t’u bere vende anëtare” u shpreh ndër të tjera Komisioneri për Zgjerimin.
Por në cfarë konsiston metodologjia e re e zgjerimit?
Tanimë në negociatat për anëtarësim do jenë gjashtë ‘module’ referimi ku sejcila prej tyre do të përmbajë një numër kapitujsh ekzistues. Modulet të cilat vendet kandidate do të duhen të negociojnë me BE-në janë: Kryesoret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja përfshirëse; Agjenda jeshile; Burimet, Agrikultura dhe Kohezioni; si dhe Marrëdheniet me Jashtë. Ajo që vihet re se në sejcilën prej këtyre moduleve është fakti që përfshihen një numër i caktuar kapitujsh ekzistuese. Në modulin e parë, Kryesoret, përfshihet Kapitulli 23 dhe 24 (Drejtësia, Siguria, Liritë, kapitulli 5 mbi prokurimet publike , Kapitulli 18 (Statistikat) dhe 32 (kontrolli Financiar). Ajo që vihet re është se në Modulin e parë është shtuar edhe kriteri ekonomik, gjë që në vazhdimësi duhet pare mënyra sesi do të formulohen kriteret vlerësues nga ana e Komisionit Europian.
Gjatë sesionit të pyetjeve Komisioneri Varhelyi u kujdes të theksonte që kjo metodologji nuk do të ketë efekte ‘prapavepruese’ pasi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi ky proces do të organizohet në fomën e moduleve por vetëm për kapitujt e mbetur dhe për aq sa është e mundur.
Ndërsa për sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kjo metodologji do të aplikohet në momentin e hapjes së negociatave për anëtarësim.
Kthyeshmëria e procesit është një parim i cili theksohet në dokumentin e publikuar nga Komisioni Europian si një mundësi e vendeve anëtare për të ri-hapur kapituj të mbylluar për një ri-vlerësim.
Nëse metodologjia e re do jetë një mundësi për të përshpejtuar procesin e bisedimeve për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor kjo mbetet për t’u parë në vitet në vazhdim, ajo që evidentohet në këtë moment janë pikëpyetjet se si kjo metodologji do të implementohet.
Për Ursula Von der Leyen, Presidenten e Komisionit Evropian, kjo metodologji dhe Zgjerimi është një situtë e mirë për të dy palët. “Mesazh i mirë për miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor për procesin e zgjerimit të BE: Sot Komisioni Evropian propozon një plan të besueshëm dhe dinamik, duke i hapur rrugën hapjes së bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.” shkroi ajo në një postim në twitter.
Eunews.al