Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përkujtuar trevjetorin e sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael, duke shprehur solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe pengjet që përjetuan pasojat e sulmit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian qëndron pranë të gjithë atyre, jetët e të cilëve u ndryshuan përgjithmonë nga ajo ditë.
“Sot shënohen tre vjet që nga sulmet terroriste të 7 tetorit në Izrael. Ne nderojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve që ende mbajnë peshën e rëndë të pikëllimit”, shkroi ajo.
Presidentja e Komisionit kujtoi në veçanti viktimat e festivalit muzikor Nova dhe pengjet e marra nga Hamasi.
“Kujtojmë jetët e reja që u ndërprenë në një festival muzikor. Dhe përvojën e gjatë të pengjeve. BE qëndron pranë të gjithë atyre, jetët e të cilëve u ndryshuan përgjithmonë nga ajo ditë”, u shpreh von der Leyen.
Ajo theksoi se sulme të tilla nuk duhet të përsëriten dhe përsëriti qëndrimin e BE-së kundër terrorizmit.
“Egërsia dhe terrori i papërshkrueshëm i 7 tetorit nuk duhet të ndodhë më kurrë. Asgjë nuk e justifikon terrorin”, shkroi ajo.
Von der Leyen u ndal edhe te situata aktuale në Gaza, duke deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë për ta shndërruar armëpushimin aktual në një paqe të qëndrueshme.
Sipas saj, kjo duhet të bazohet në zgjidhjen me dy shtete, që mbetet pozicioni zyrtar i Bashkimit Evropian për një zgjidhje afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez.


