Ballkani Perëndimor drejt një oferte të përbashkët turistike, miratohet udhërrëfyesi i bashkëpunimit rajonal

25 Nov 2026 • 16:50
Shpërndaje:

Tirana mirëpriti Ministerialin e Turizmit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe CEFTA-s.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se diskutimet u përqendruan në tri prioritete kryesore për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së rajonit në tregun evropian.

Prioriteti i parë lidhet me promovimin e Ballkanit Perëndimor si një ofertë e përbashkët turistike, përmes zhvillimit të produkteve të reja dhe organizimit të fushatave të përbashkëta promovuese.

Reklamë Ola

Në fokus të takimit ishte gjithashtu lehtësimi i qarkullimit të turistëve ndërmjet vendeve të rajonit, krijimi i itinerareve turistike rajonale dhe eliminimi i pengesave për operatorët turistikë.

Një tjetër prioritet është modernizimi i menaxhimit të destinacioneve turistike, përmes përdorimit të të dhënave dhe rritjes së aftësive profesionale në sektor.

Reklamë InterMedika

Gjatë ministerialit u miratua Udhërrëfyesi për Bashkëpunimin Rajonal, i cili synon të forcojë koordinimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë integrimin e rajonit në tregun evropian të turizmit.

“Me miratimin e Udhërrëfyesit për bashkëpunimin rajonal, hedhim hapa konkretë drejt një rajoni më konkurrues dhe të integruar në tregun evropian të turizmit”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.