Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, priti në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” një delegacion të nivelit të lartë nga Moldavia, të kryesuar nga kryetari i Parlamentit, Igor Grosu.
Në përbërje të delegacionit ishin presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë, Leonid Oleinicenco, ambasadori Emil Jacota, deputeti Maxim Potîrniche, sekretari i Shtetit dhe zëvendësministri i Sportit, Cristian Jardan, si dhe ambasadorja e Shqipërisë në Moldavi, Enkelejda Merkuri.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit moldavë u njohën me infrastrukturën dhe funksionimin e “Shtëpisë së Futbollit”, duke vizituar Klinikën e Kombëtares, ambientet e administratës, Muzeun e FSHF-së dhe studiot e FSHF TV.
Delegacioni vizitoi gjithashtu stadiumin “Air Albania”, ku u njoh nga afër me standardet e infrastrukturës dhe organizimin e impiantit sportiv.
Sipas FSHF-së, përfaqësuesit moldavë shfaqën interes të veçantë për modelin e stadiumit shqiptar, pasi Moldavia synon të realizojë një projekt të ngjashëm në fushën e infrastrukturës sportive.
Vizita shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy vendeve dhe prezantimin e investimeve e projekteve të realizuara nga FSHF-ja për modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.


