Lukashenko fton Zelenskyn për bisedime në Moskë: Jam i gatshëm të garantoj sigurinë e tij

25 Nov 2026 • 17:15
Shpërndaje:

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka propozuar të udhëtojë së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, drejt Moskës për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me synim përfundimin e luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për median franceze “Le Point”, të publikuar të martën, Lukashenko deklaroi se është i gatshëm të shoqërojë presidentin ukrainas dhe të marrë përsipër garantimin e sigurisë së tij gjatë udhëtimit.

“Volodymyr Zelensky dhe unë mund të fluturojmë thjesht drejt Moskës. Të dy bashkë. Si garantues i sigurisë së tij, mund të ulesha me të dhe të fluturonim drejt Moskës”, u shpreh Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore bjelloruse Belta.

Reklamë Ola

I pyetur për mundësinë e refuzimit të propozimit nga Zelensky, presidenti bjellorus deklaroi se në këtë rast lufta do të vazhdonte. Ai pretendoi gjithashtu se Rusia po fiton në terren, pavarësisht ritmit të ngadaltë të përparimit të forcave të saj.

Putin ka propozuar edhe më herët zhvillimin e një takimi me Zelenskyn në Moskë, mundësi që presidenti ukrainas e ka refuzuar, duke kërkuar që negociatat të zhvillohen në një vend neutral.

Reklamë InterMedika

Lukashenko përshëndeti rifillimin e bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa shprehu mbështetje për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në raundet e ardhshme të negociatave.

Megjithatë, sipas tij, Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia duhet të përcaktojnë vetë mënyrën e zgjidhjes së konfliktit.

Lukashenko, një nga aleatët më të ngushtë të Putinit, është kritikuar vazhdimisht nga vendet perëndimore për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe rolin e Bjellorusisë në agresionin rus ndaj Ukrainës. Minsku lejoi përdorimin e territorit bjellorus nga forcat ruse në nisje të pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.