Kultura dhe trashëgimia shqiptare janë prezantuar në Edinburg të Skocisë, përmes një koncerti që ndërthuri këngët tradicionale, vallet popullore dhe historinë e lidhjeve të poetit Lord Bajron me Shqipërinë.
Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore solli artin tradicional shqiptar në një skenë skoceze, përmes koncertit “Shqipëria në sytë e Bajronit”, një projekt i organizuar nga Empowered Women of Diaspora.
Koncerti u zhvillua në Assembly Rooms, një prej sallave historike të Edinburgut, ku artistët shqiptarë performuan përpara një publiku të përbërë nga pjesëtarë të diasporës shqiptare, qytetarë skocezë dhe të huaj.
Këngët tradicionale, vallet karakteristike dhe kostumet popullore të krahinave të ndryshme shqiptare përcollën pasurinë dhe larminë e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Një vend të veçantë në program zuri figura e poetit anglez Lord Bajron dhe lidhja e tij me Shqipërinë. Përmes interpretimit të Robert Wilton, publiku ndoqi një rrëfim artistik që ndërthuri historinë e poetit me kulturën dhe traditat shqiptare.
Prezantimi në Edinburg erdhi pas një pune të gjatë përgatitore të artistëve të Ansamblit, të cilët synuan të përcillnin në mënyrë sa më autentike traditat e krahinave të ndryshme të vendit.
Mbrëmja u përmbyll mes duartrokitjeve të publikut, duke shërbyer si një mundësi për promovimin e identitetit kombëtar në arenën ndërkombëtare, forcimin e lidhjeve me diasporën dhe afrimin e kulturës shqiptare me publikun skocez.


