Asambleja Kombëtare e Francës rrëzon projektbuxhetin për vitin 2027

05 Nov 2026 • 12:50
Shpërndaje:

Asambleja Kombëtare e Francës rrëzoi të mërkurën në mbrëmje projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027, duke vështirësuar miratimin e planit të kryeministrit Sébastien Lecornu për të kursyer 43 miliardë euro. Projektbuxheti i qeverisë kalon tani në Senat, ku shqyrtimi pritet të nisë më 20 nëntor.

Kundër pjesës së parë të projektligjit, që përcakton të ardhurat tatimore, votuan 458 deputetë nga kampi i presidentit Emmanuel Macron dhe nga opozita. Grupet parlamentare kishin bërë ndryshime të shumta në tekst, por versioni përfundimtar nuk mori asnjë votë pro. Rrëzimi i kësaj pjese solli edhe rrëzimin e pjesës së dytë, që përcakton shpenzimet e shtetit.

Dhoma e ulët kishte rrëzuar më herët edhe projektbuxhetin e sigurimeve shoqërore, që mbulon pensionet dhe sistemin shëndetësor. Edhe ky tekst do të shqyrtohet nga Senati.

Reklamë Ola

Me ekonominë në stanjacion dhe borxhin publik në rritje, qeveria e Lecornusë synon ta ulë deficitin buxhetor në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2027. Ministri i Buxhetit, David Amiel, paralajmëroi se ndryshimet e bëra nga deputetët do ta çonin deficitin në 5,9% të PBB-së.

Lecornu nuk ka shumicë në Asamblenë Kombëtare, ndaj rrëzimi i projektbuxhetit pritej. Megjithatë, qeveria këmbëngul se synon ta miratojë buxhetin deri në fund të vitit, një afat që nuk u respektua për dy buxhetet e mëparshme. Ngërçi vjen ndërsa Franca përgatitet për zgjedhjet presidenciale të prillit 2027.

Reklamë InterMedika

Një nga mundësitë është përdorimi i nenit 49.3 të Kushtetutës, që i lejon qeverisë ta kalojë tekstin pa votim në Asamblenë Kombëtare, por i hap rrugën një mocioni mosbesimi. Një tjetër mundësi është miratimi i buxhetit përmes urdhëresave qeveritare, një rrugë pa precedent në historinë e afërt të Francës.