Armand Duka përshëndet tërheqjen e FIFA-s nga plani për shitjen e të drejtave: Duhet më shumë transparencë në qeverisjen e futbollit

01 Aug 2026 17:38
Shpërndaje:

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur vendimin e FIFA-s për t’u tërhequr nga plani për shitjen e një pjese të të drejtave të saj tek investitorë privatë, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për futbollin ndërkombëtar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Duka theksoi se procesi i ndjekur gjatë ditëve të fundit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që sipas tij duhet të adresohen patjetër.

“Vendimet që ndikojnë në qeverisjen e sportit tonë duhet të udhëhiqen gjithmonë nga standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Këto parime janë themelore për mbrojtjen e integritetit të futbollit”, shkroi Duka.

Reklamë Ola

Presidenti i FSHF-së shprehu mbështetjen e plotë për qëndrimin e UEFA-s, e cila kundërshtoi planin e FIFA-s, duke theksuar se do të bashkëpunojë me drejtuesit e tjerë të federatave kombëtare për të garantuar që mësimet e nxjerra nga kjo situatë të shndërrohen në masa konkrete.

Sipas Dukës, objektivi është vendosja e mekanizmave që do të parandalojnë përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen dhe do të forcojnë qeverisjen e futbollit.

Reklamë InterMedika

Ai nënvizoi se përgjegjësia e përbashkët e institucioneve të futbollit është mbrojtja e vlerave të sportit dhe garantimi që ai të qeveriset me integritet, transparencë dhe gjithmonë në interesin më të mirë të lojës dhe të gjithë aktorëve të saj.

Në përfundim të reagimit, Duka vlerësoi unitetin e UEFA-s dhe federatave kombëtare, duke theksuar se kjo situatë dëshmoi edhe një herë se kur aktorët e futbollit flasin me një zë të vetëm dhe qëndrojnë të bashkuar, mund të gjendet zgjidhja e duhur.