Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të nisë javën e ardhshme nga Shqipëria një turne disaditor në Ballkanin Perëndimor, me fokus procesin e integrimit europian të vendeve të rajonit.
Sipas agjendës së konfirmuar nga Komisioni Europian, von der Leyen do të mbërrijë të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama.
Një ditë më vonë, më 1 tetor, presidentja e Komisionit do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku në agjendë janë parashikuar takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Turneu do të vijojë më pas në Malin e Zi dhe do të përfundojë në Maqedoninë e Veriut më 2 tetor.
Komisioni Europian ka bërë të ditur se vizita do të përqendrohet te hapat e ardhshëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE, progresi në integrimin gradual dhe zbatimi i Planit të Rritjes për rajonin. Von der Leyen pritet gjithashtu të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Europian.
Kjo është vizita e gjashtë radhazi vjetore e von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Komisioni rikujtoi edhe mesazhin e saj në samitin BE–Ballkani Perëndimor në qershor, se Bashkimi Europian “nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”.
Në itinerarin e këtij turneu nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Brukseli e ka lidhur këtë vendim me zgjedhjet e ardhshme në të dyja vendet dhe ka bërë të ditur se von der Leyen synon t’i vizitojë ato në një moment të mëvonshëm.
Vizita në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria po vijon negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke e bërë procesin e integrimit një nga temat kryesore të pritshme të takimeve të von der Leyen me drejtuesit shqiptarë.


