×
Wednesday, May 25, 2022

Albin Kurti, një provokues i helmuar për pushtet

December 24, 2019

Albin Kurti nuk mendon se sapo fitoi një palë zgjedhje. Ai thotë se ishte një revolucion.

Kurti, një ish-protestues, i burgosur dhe provokues, është i gatshëm të bëhet Kryeministër i Kosovës pasi Lëvizja e tij për Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare në tetor.

Frymëzuar nga lëvizjet e majta antikoloniale në botën në zhvillim, organizata e Kurtit është krejt e ndryshme nga partitë që kanë qeverisur Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit në dekadat e fundit. Dhe qëllimi i tij i deklaruar është që të shkatërrojë modelin e tyre të qeverisjes – një sistem i kronizmit endemik dhe korrupsionit, i shoqëruar me lidhje të ngushta me krimin e organizuar.

Nëse 44-vjeçari do të ketë sukses, ai mund të inkurajojë lëvizje të ngjashme nëpër Ballkan, duke paraqitur një sfidë të rrallë për elitat politike të formuara gjatë konflikteve të viteve 1990.

Ne po fillojmë një epokë të re ku qeveria është e vetëdijshme se nuk ka paratë e veta, por se menaxhon paratë e njerëzve,” u shpreh Kurti në një intervistë në selinë e lëvizjes së tij në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. “Kjo kulturë e re e qeverisjes së mirë është çelësi i fitores sonë revolucionare, e cila besoj është dita kur filloi e ardhmja për Kosovën.”

Qëndrimi i Kurtit do të jetë e rëndësishme në përcaktimin jo vetëm të të ardhmes së Kosovës, por edhe konfliktit të saj të ngrirë me fqinjin verior Serbinë. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, por Beogradi e konsideron territorin si një province të saj. Nëse marrëdhëniet midis dy palëve përkeqësohen, stabiliteti dhe reputacioni i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor ka të ngjarë të marrin një goditje tjetër.

Asgjë nga ato që Kurti thotë që dëshiron të arrijë nuk do të jetë e lehtë. As ai dhe partia e tij nuk kanë drejtuar kurrë një qeveri kombëtare. Për më tepër elitat që kanë qeverisur skenën politike të Kosovës, me rrjetet e tyre të thella nëpër institucione publike, nuk do të largohen në heshtje dhe të heqin dorë nga pushteti.

Një dialog i mbështetur nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit u ndërpre më shumë se një vit më parë. Një hije varet mbi të gjithë Ballkanin Perëndimor pasi BE këtë vit kundërshtoi hapjen e bisedimeve për anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kurti, megjithatë, argumenton se politikat e partisë së tij do të kenë një efekt pozitiv zbutës, duke përmirësuar shërbimet publike dhe duke nxitur kundërshtimin e publikut ndaj korrupsionit. Ai zotohet që t’i japë fund një sistemi nën të cilin “njerëzit mbijetuan në bazë të nepotizmit dhe aleancave partiake“.

Unë besoj se nuk kemi asgjë për t’u frikësuar,” u shpreh Kurti. “Kjo është arsyeja pse një transparencë radikale është rruga për të shkuar, në mënyrë që të kemi mbështetjen e njerëzve.”

Që kur u përfshi në politikë rreth dy dekada më parë, Kurti është burgosur nga Serbia dhe është vendosur në arrest shtëpiak nga autoritetet kosovare. Ai ka hedhur granata me gaz lotsjellës brenda parlamentit të Kosovës dhe është kritikuar nga qeveritë perëndimore për komentet e ashpra të zyrtarëve ndërkombëtarë dhe për mbrojtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë fqinje.

Kurti zbehu pjesën më të madhe të këtij radikalizmi gjatë fushatës zgjedhore, i cili rezultoi me marrjen e më shumë se 26 përqind të votave. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë që në atë moment në bisedime për formimin e një koalicioni me një parti tradicionale, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për formimin e një qeverie. Këto bisedime nuk kanë arritur rezultate por duken të vendosura për të prodhuar një koalicion në vitin e ri, me Kurtin në krye.

Që prej fitores së tij në zgjedhje, ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë përqafuar Kurtin dhe ai ka qenë në një turne në kryeqytetet kryesore evropiane për të takuar zyrtarë të lartë.

Por ai këmbëngul që do të ndërmarrë një qasje të re në marrëdhëniet e Kosovës me fuqitë perëndimore që drejtuan fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që i dha fund shtypjes serbe ndaj shumicës etnike shqiptare të Kosovës dhe që kanë ushtruar ndikim të fortë në qeveritë e territorit qysh atëherë.

“Ne do të ndryshojmë këtë duke hedhur poshtë dy pozicionet radikale, se me bashkësinë ndërkombëtare ju mund të jeni ose servil ose i urryer,” tha Kurti për POLITICO.

“Kishte një qëndrim servilizmi që karakterizonte qeveritë e mëparshme sepse ne kishim zyrtarë të korruptuar dhe liderë të partisë që donin të kënaqnin kërkesën e çdo [zyrtari] të mundshëm ndërkombëtar në këmbim të imunitetit për ndjekjen penale për pasurinë e tyre të marrë në mënyrë të paligjshme.”

Emri i lëvizjes së tij pasqyron idenë se qytetarët e Kosovës kurrë nuk kanë qenë me të vërtetë të lirë për të përcaktuar të ardhmen e tyre – për shkak të shtypjes serbe dhe më pas për shkak të sundimit ndërkombëtar dhe “kapjes” së shtetit nga elitat e korruptuara.

Diplomatët perëndimorë kundërshtojnë me forcë këtë tezë, duke argumentuar se trupat e vendeve të tyre rrezikuan jetën e tyre për të stabilizuar Kosovën dhe se qeveritë e huaja kanë investuar shumë në ndërtimin e institucioneve demokratike të reja.

Kurti është zotuar se do të përpiqet shumë për të vendosur sundimin e ligjit, duke e bërë prokurorin e shtetit personin më të njohur në Kosovë sesa çdo politikan.

Megjithatë, sfida e tij më e madhe mund të qëndrojë në menaxhimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me pakicën serbe të Kosovës.

“Si kryeministër, unë i detyrohem të gjithë qytetarëve të Kosovës,” tha Kurti kur u pyet për serbët të cilët mbajnë lidhje të forta me Beogradin.

“Për shumicën dërrmuese të popullit të Kosovës, dy shqetësime kryesore janë të njëjta – puna dhe drejtësia.”

Por shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë nuk e shohin veten si qytetarë të shtetit të ri dhe më preferojnë që të mbeten pjesë e Serbisë. Aktualisht, mënyra e vetme për t’u përfshirë me ta është përmes Beogradit. “Kosova ka një problem dhe emri i saj është Serbia, “ u shpreh ai.

Sa i përket agjendës së tij të brendshme, i gjithë Ballkani do të vëzhgojë nga afër.

“Nëse është i suksesshëm në Kosovë, kjo lloj politike mund të përshkojë edhe mjediset politike në rajon, “tha Shpetim Gashi, një analist i politikave në Këshillin për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, një OJQ me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse Kurti do të jetë në gjendje të godasë korrupsionin dhe të forcojë sundimin e ligjit, ai “do të përshpejtojë tranzicionin demokratik në rajon”, tha Gashi.

Politico.eu

0 0 votes
Article Rating
Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments