×
Friday, May 14, 2021

Alabbar: Shqipëria është “Europa e re”, një ëndërr që po e bej realitet

May 1, 2021

Superprojekti i marinës në Durrës i Emmar Grup ka marrë një vëmendje të veçantë edhe në mediat ndërkombëtare. Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, drejtori i Emmar Grup, Mohamed Alabbar, teksa flet për investimin me vlerë prej 2.5 miliardë në Portin e Durrësit, thotë se synimi i tij është të ndërtojë një ‘Europë të Re’.

“Kur shikoj Shqipërinë, kur shikoj se çfarë ndodh me qeverinë dhe se si po përpiqet të zhvillojë vendin atëherë mendova që të jem unë i pari aty, sepse gjithçka tregon se punët shkojnë mirë, turizmi ka rritje dyshifrore, ka një vijë bregdetare 450 kilometra të gjatë me pamje nga Greqia aty pranë”.

Për sipërmarrësin Alabbar, Shqipëria është fronti i dytë i investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas një projekti të parë të suksesshëm në Beograd.

“Këto vende kanë një rritje fantastike ekonomike, forcë punëtore të jashtëzakonshme, qeveritë që punojnë natë e ditë për të qenë pjesë e Europës së vërtetë. Vërtetë besoj që kjo funksionon mirë kudo në botë nëse e bën mirë me partnerët e duhur për të ndërtuar portin më të madh në detin Adriatik në Durrës me mbi 12 mijë apartamente, hotele, restorante e dyqane. Mendoj se për mua është si të kem një ëndërr që shkoj dhe e kthej në realitet”.

I pyetur për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Alabbar, thotë se kjo i përket të shkuarës dhe këto vende kanë lënë pas atë.

“Jo, fatkeqësisht Shqipëria ka një të shkuar për shkak të qeverive të mëparshme, mbase qysh para viteve 90. Dhe është përballur me të, i është dashur të kalojë në këtë fazë, asgjë nuk bëhet brenda një nate, por ata ja kanë dalë dhe të gjithë treguesit janë pozitiv sipas meje, prandaj po investoj në një projekt kaq të konsiderueshëm dhe jam shumë krenar që jam i pari në këtë aspekt”.

Ai thotë se realizimi i këtij projekti do bëjë që edhe shumë investitor të tjerë të mëdhenj të mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për