Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë nesër fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në kuadër të debatit të përgjithshëm të sesionit të 81-të.
Një nga pikëpyetjet është nëse kryeministri shqiptar do ta përdorë foltoren e OKB-së për t’iu referuar edhe zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-krerët e UÇK-së dhe vendimet e drejtësisë në Hagë.
Deri tani nuk është bërë publike përmbajtja e fjalimit të Ramës dhe nuk ka një konfirmim zyrtar se kjo çështje do të jetë pjesë e tij.
Kreu i qeverisë ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, ku krahas pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme ka zhvilluar edhe takime të tjera.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Rama është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Michigan, ndërsa axhenda e vizitës përfshin aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare.
Debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nisi më 22 shtator dhe zhvillohet deri më 26 shtator, për t’u përmbyllur më 28 shtator. Gjatë tij, krerët e shteteve dhe qeverive paraqesin qëndrimet dhe prioritetet e vendeve të tyre për çështjet kryesore ndërkombëtare.
Rama shoqërohet në vizitën në Shtetet e Bashkuara nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni zyrtar shqiptar.


