Pas shkarkimit të Vlora Hysenit, Rama i delegon përkohësisht drejtimin e SHISH Elvis Lilës

23 Sep 2026 14:18
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e përkohshëm të kompetencave administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) tek Elvis Lila, aktualisht drejtor i Departamentit Operativ.

Vendimi vjen një ditë pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH. Presidenti Bajram Begaj dekretoi të martën largimin e saj nga detyra, me propozim të Kryeministrit.

Sipas urdhrit të firmosur nga Rama, kompetencat administrative të drejtuesit të SHISH i delegohen përkohësisht Lilës dhe ky delegim do të qëndrojë në fuqi deri në emërimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Reklamë Ola

Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi që rregullon funksionimin e administratës dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ndryshimi në drejtimin e institucionit vjen pas zhvillimeve të një dite më parë, kur SPAK njoftoi se ndaj Vlora Hysenit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës. Hyseni u vetëdorëzua më pas tek autoritetet dhe u shoqërua drejt Tiranës për ekzekutimin e masës së sigurisë.

Reklamë InterMedika

Elvis Lila do të ushtrojë kështu përkohësisht kompetencat administrative të kreut të SHISH, deri në përfundimin e procedurës për emërimin e drejtuesit të ri të institucionit.