Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur nga Haga për krijimin e Gjykatës Speciale, duke deklaruar se vendimi i marrë në atë kohë ishte “e keqja më e vogël” për vendin.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Top Story”, Thaçi tha se Kosova ndodhej përballë dy mundësive: ta themelonte gjykatën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ose të lejonte krijimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, u shpreh ai.
Sipas Thaçit, zgjedhja e variantit të parë shmangu përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në proces, çka, sipas tij, do të përbënte një kthim prapa për Kosovën në aspektin ligjor, politik dhe historik.
“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi. Sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, deklaroi ish-presidenti.
Thaçi nuk pranoi të fliste me hollësi për rrethanat që çuan në krijimin e gjykatës dhe zhvillimet që pasuan, duke e cilësuar atë si një proces të gjatë dhe intrigues.
“Isha i zotuar që Kosovës të mos i ndodhte asgjë e keqe. Tani jam duke e paguar çmimin në lëkurën time. Por kapërcehet edhe kjo vështirësi”, përfundoi Thaçi.


