Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vijuar edhe këtë të enjte aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë, duke bllokuar hyrjet në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë.
Prej disa ditësh, PDK po zhvillon protesta para Qeverisë, duke kërkuar thirrjen sa më shpejt të seancës dhe zhbllokimin e procesit për krijimin e institucioneve të reja.
Partia i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, të caktojë vazhdimin e saj, ndërsa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mbajnë të bllokuara institucionet.
Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar, duke zgjatur ngërçin politik dhe vonuar krijimin e institucioneve të reja.


