Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim zyrtar në Indonezi me Ministrin e Investimeve dhe Industrisë së Përpunimit, njëherazi kreun e Bordit Koordinues të Investimeve (BKPM), Rosan P. Roeslani, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë takimit, palët biseduan për nxitjen e investimeve, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e lidhjeve të reja mes komuniteteve të biznesit të Shqipërisë dhe Indonezisë.
Ministrja Ibrahimaj prezantoi potencialin e Shqipërisë për investime dhe ftoi bizneset indoneziane të angazhohen në projekte me interes të përbashkët në tregun shqiptar.
Po ashtu, u diskutua avancimi i një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), i cili synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi për forcimin e partneriteteve ekonomike, promovimin e investimeve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të ministres Ibrahimaj në Indonezi, pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për zgjerimin e partneriteteve ekonomike ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim dhe rritje të qëndrueshme.


