×
Friday, July 17, 2026

Rama uron kryeministrin e ri të Ukrainës: Shqipëria do të qëndrojë krah Kievit

July 17, 2026


Kryeministri Edi Rama ka uruar Serhii Koretskyi për emërimin në detyrën e kryeministrit të Ukrainës, duke riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë për popullin dhe institucionet ukrainase në përballjen me agresionin rus.

Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i qeverisë shqiptare i uroi suksese Koretskyit në drejtimin e qeverisë, duke theksuar sfidat e mëdha me të cilat përballet Ukraina.

“Urime Kryeministrit Serhii Koretskyi për emërimin e tij nga Rada e Lartë e Ukrainës. I uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i bashkohet Presidentit Volodymyr Zelenskyy në udhëheqjen e Ukrainës gjatë një prej periudhave më të vështira në historinë e saj, me guxim, qëndresë dhe vendosmëri”, shkroi Rama.

Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

“Shqipëria qëndron fort në krah të Presidentit Zelenskyy, Qeverisë së Ukrainës dhe popullit ukrainas në luftën e tyre për liri, sovranitet dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme”, u shpreh Rama.

Serhii Koretskyi u emërua kryeministër nga Rada e Lartë e Ukrainës, duke marrë drejtimin e qeverisë në një periudhë kur vendi vijon të përballet me pasojat e luftës dhe sfidat e rindërtimit.




Comments are closed.