×
Tuesday, July 14, 2026

Akuzat për ndërhyrje në çështjet fetare, Balla: Nuk kam kërkuar asnjëherë largimin e asnjë hoxhe, publikoni provat

July 13, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar publikisht ndaj një letre anonime, në të cilën ngrihen akuza për ndërhyrje të tij në çështjet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe për kërkesa të pretenduara për largimin e klerikëve.

Në një letër-përgjigje publike, Balla i cilëson akuzat të pavërteta dhe sfidon autorët anonimë të paraqesin prova për pretendimet e ngritura.

“Nuk kam ndërhyrë kurrë dhe nuk kam kërkuar kurrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shkarkimin, largimin apo ndëshkimin e asnjë hoxhe, myftiu apo kleriku fetar. Ky pretendim është i pavërtetë. Nëse dispononi qoftë edhe një provë të vetme që mbështet këtë akuzë, bëjeni publike. Në të kundërt, ju ftoj ta tërhiqni atë, sepse askush nuk ka të drejtë të njollosë tjetrin me insinuata.”

Balla shprehet se nuk pranon gjuhën kërcënuese të përdorur në letrën anonime dhe thekson se politika dhe feja kanë secila vendin e tyre.

“Referencat për ndëshkime në këtë botë apo në tjetrën nuk i shërbejnë as dialogut qytetar dhe as besimit fetar. Politika dhe feja kanë secila vendin e vet dhe unë kam respektuar gjithmonë autonominë e institucioneve fetare, ashtu siç respektoj çdo besimtar të këtij vendi.”

Në reagimin e tij, Balla ndalet edhe te parimet e fesë islame, duke argumentuar se askush nuk duhet të ngrejë akuza pa fakte.

“Besimtari nuk akuzon kurrë pa prova. Kurani i Shenjtë e dënon rëndë shpifjen dhe dëshminë e rreme, sepse ato cenojnë nderin e njeriut dhe helmojnë jetën e bashkësisë. Besimi nuk ndërtohet mbi hamendësime, por mbi të vërtetën; jo mbi aludime, por mbi fakte.”

Balla kritikon edhe faktin që letra është publikuar pa autor, duke e cilësuar anonimitetin si mungesë përgjegjësie.

“Anonimati nuk është guxim qytetar; është mënyra më e lehtë për të hedhur baltë pa mbajtur përgjegjësi. Kush beson se po mbron të vërtetën nuk ka arsye të fshihet pas anonimatit. Ose paraqisni provat për akuzën që keni ngritur, ose përballuni me pasqyrën tuaj si një shpifës.”

Në përfundim, Balla rithekson se Shqipëria garanton lirinë e besimit dhe se shteti nuk ndërhyn në jetën e komuniteteve fetare, duke e cilësuar këtë një parim që, sipas tij, ka udhëhequr gjithmonë qëndrimet e tij publike.




Comments are closed.