Kuvendi shqyrton veprimtarinë e 10 institucioneve të pavarura, votimi në seancën e ardhshme
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën plenare të radhës, ku u shqyrtuan 10 projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025. Votimi i tyre është planifikuar të zhvillohet në seancën e ardhshme plenare.
Seanca nisi me shqyrtimin e projektrezolutës për veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila vlerëson punën e institucionit në administrimin e proceseve zgjedhore, garantimin e integritetit të zgjedhjeve dhe administrimin e regjistrit të zgjedhësve.
Më pas, deputetët diskutuan projektrezolutën për veprimtarinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), e fokusuar në kontrollin e deklarimit të pasurive, parandalimin e konfliktit të interesave dhe forcimin e integritetit në administratën publike.
Në vijim, Kuvendi shqyrtoi raportet dhe projektrezolutat për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
Në përfundim të seancës, deputetët diskutuan problematika të ngritura nga qytetarët në zonat që përfaqësojnë, duke adresuar çështje që lidhen me shërbimet publike, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera me interes për komunitetin, si dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre nga institucionet përgjegjëse.







