Hoxha dënon sulmet e Iranit: Përshkallëzojnë tensionet dhe rrezikojnë sigurinë ndërkombëtare
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar sulmet e reja të Iranit ndaj vendeve arabe të Gjirit, duke i cilësuar ato si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se këto veprime përshkallëzojnë tensionet në rajon, minojnë stabilitetin dhe përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Sipas tij, vazhdimi i qasjes konfrontuese nga ana e Iranit, si dhe mungesa e angazhimit konstruktiv dhe në mirëbesim me Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, përfshirë programin bërthamor, dëshmojnë mungesë vullneti për dialog dhe de-përshkallëzim.
“Këto zhvillime janë thellësisht shqetësuese, por fatkeqësisht nuk janë befasuese”, theksoi ministri.
Hoxha rikujtoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt i sulmeve të vazhdueshme kibernetike, operacioneve të ndikimit dhe aktiviteteve të tjera hibride, të cilat, sipas tij, i atribuohen Iranit dhe synojnë të cenojnë institucionet shtetërore dhe sigurinë kombëtare.
Në përfundim, kreu i diplomacisë shqiptare shprehu solidaritetin e Shqipërisë me të gjitha vendet e prekura nga këto sulme, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të vendit për sovranitetin, integritetin territorial, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.







