Ferit Hoxha në Luksemburg: Shqipëria ka përfituar 212.8 mln euro nga Plani i Rritjes i BE-së
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën mbi Mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve në Luksemburg, ku mbajti fjalën kryesore në emër të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një aspiratë e largët, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Ai nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa anëtarësimi në BE mbetet projekti kombëtar i Shqipërisë dhe udhërrëfyesi i reformave, forcimit të institucioneve dhe politikës së jashtme.
Ministri vlerësoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një instrument që ofron rezultate konkrete, duke theksuar se Mekanizmi për Reforma dhe Rritje shpërblen progresin dhe forcon qeverisjen, llogaridhënien dhe kapacitetet institucionale.
Duke folur për ecurinë e Shqipërisë, Hoxha bëri të ditur se vendi ka siguruar 212.8 milionë euro, shuma më e lartë e përfituar në Ballkanin Perëndimor, falë zbatimit të reformave.
Ai kërkoi një lidhje më të qartë mes reformave të Planit të Rritjes dhe procesit të anëtarësimit në BE, për të përshpejtuar zbatimin e tyre dhe për të rritur efektivitetin.
Në përfundim, Hoxha theksoi se zgjerimi është një përgjegjësi e përbashkët, duke nënvizuar se vendet kandidate duhet të vijojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë dhe të shpërblejë progresin real, pasi besueshmëria dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësore për suksesin e procesit.







