Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vlerësoi reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut si një nga ndërhyrjet më të thella dhe më të guximshme të shtetit shqiptar për forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Në fjalën e mbajtur në Ceremoninë Përmbyllëse të Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Peleshi theksoi se reforma në drejtësi ishte një akt vetëkorrigjimi i shtetit dhe një përgjigje ndaj nevojës për të rikthyer besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
“Dhjetë vite më parë, Shqipëria mori një rrugë që pak vende kanë pasur kurajën ta ndjekin. Ajo vendosi që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohej filtrit më të fortë që kishte njohur ndonjëherë. Jo për hakmarrje, jo për spektakël dhe jo për statistika, por sepse nuk mund të ketë shtet të fortë pa drejtësi të besueshme”, u shpreh ai.
Duke folur për rezultatet e arritura, Peleshi tha se Shqipëria e vitit 2026 është ndryshe nga ajo e vitit 2016, me institucione më të forta, standarde më të larta dhe pritshmëri më të mëdha të qytetarëve ndaj drejtësisë.
Ai shprehu mirënjohje për institucionet e vettingut, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerët që kontribuan në zbatimin e reformës.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se përfundimi i mandatit të institucioneve të vettingut nuk përbën fundin e përgjegjësisë për ruajtjen e standardeve të vendosura gjatë këtij procesi.
“Suksesi nuk do të matet më nga procesi i rivlerësimit. Ai do të matet nga cilësia e drejtësisë që marrin qytetarët, nga ndershmëria e sistemit dhe nga besimi që qytetarët kanë tek drejtësia”, deklaroi Peleshi.
Ai e lidhi reformën në drejtësi edhe me procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se ky rrugëtim mbështetet mbi forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe garantimin e drejtësisë për çdo qytetar.
Në përfundim, Peleshi ritheksoi angazhimin e Kuvendit për të mbrojtur dhe konsoliduar arritjet e reformës në drejtësi, duke e cilësuar ruajtjen e standardeve të fituara si testin e vërtetë të pjekurisë së shtetit dhe të vetë reformës.