Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për një qasje më dinamike ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke kërkuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen gradualisht në strukturat europiane dhe të mos mbeten në pritje të pafundme për anëtarësimin e plotë.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, Rama theksoi se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me pjesëmarrje konkrete dhe jo vetëm me premtime afatgjata.
“Integrimi në BE nuk mund të bëhet një shtyrje pa fund. Zgjidhja nuk është e komplikuar. Na jepni pjesëmarrjen, që hap pas hapi të dëshmojmë potencialet tona. Me hapa të ngadaltë, ne do të bëjmë çdo gjë që kërkon familja e madhe europiane”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri theksin edhe te transformimi digjital që po kalon Shqipëria, duke e konsideruar teknologjinë një instrument kyç për afrimin me standardet europiane.
“Shqipëria është duke punuar shumë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Teknologjia në shërbime është rruga nga periferia drejt qendrës”, u shpreh ai.
Rama argumentoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sillte përfitime jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Bashkimin Europian.
“Ballkani Perëndimor në BE do t’i japë Europës më tepër potencial. Me ne, më e fortë do të jetë vetë Bashkimi Europian”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur debati për zgjerimin e BE-së dhe integrimin gradual të vendeve kandidate është rikthyer në qendër të diskutimeve në institucionet europiane, mes sfidave gjeopolitike dhe nevojës për forcimin e unitetit në kontinent.