Delegacion i Kongresit amerikan viziton Luginën e Preshevës, fokus te të drejtat e shqiptarëve dhe stabiliteti në rajon
Dy kongresistë amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, ndodhen sot për një vizitë zyrtare në Serbi, në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus janë çështjet e sigurisë, stabilitetit dhe të drejtave të pakicave.
Gjatë qëndrimit në Beograd, delegacioni amerikan do të pritet nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ndërsa në ditën pasuese është planifikuar vizita në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të vendit.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm për rajonin, duke theksuar se prania e zyrtarëve të lartë amerikanë përbën një mundësi për të ngritur drejtpërdrejt shqetësimet e komunitetit shqiptar.
“Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan. Ky është një moment historik për Luginën”, u shpreh Sinani, duke nënvizuar rëndësinë politike dhe simbolike të kësaj vizite.
Ajo bëri të ditur se gjatë takimeve do të paraqesë një sërë çështjesh që prekin drejtpërdrejt jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mes tyre, përmendi përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, pasivizimin e adresave të banimit, mosnjohjen e diplomave të marra në Kosovë, si dhe zhvillimin e pabarabartë ekonomik që ka çuar në rritje të papunësisë dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve.
Një tjetër pikë e rëndësishme që pritet të diskutohet është zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme mes përfaqësuesve të shqiptarëve dhe autoriteteve serbe, të arritura në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikojnë mbrojtjen dhe integrimin e pakicës shqiptare, por që deri më sot nuk janë zbatuar plotësisht.
Sinani theksoi gjithashtu se do të ngrejë shqetësimin për bllokimin e fondeve nga institucionet e Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë, si dhe çështjen e paralajmëruar të rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
“Në veçanti do të hapim edhe këtë temë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe shqetësimin e qytetarëve, si dhe nevojën për trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, deklaroi ajo.
Vizita e kongresistëve vjen në një moment kur çështja e të drejtave të pakicave është pjesë e rëndësishme e procesit të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore mbetet një nga kushtet kyçe në këtë proces.
Në fillim të këtij viti, me iniciativën e kongresistit Keith Self, një komitet i Kongresit amerikan miratoi një projektligj që kërkon hartimin e një raporti të detajuar mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Sipas të dhënave zyrtare, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë një nga pakicat më të mëdha në vend. Megjithatë, sipas raporteve ndërkombëtare, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një nga zonat më të izoluara dhe më pak të zhvilluara, duke marrë vëmendje kryesisht gjatë periudhave zgjedhore.
Para vizitës në Serbi, delegacioni amerikan qëndroi në Sarajevë, ku zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të Bosnje dhe Hercegovinës, duke diskutuar mbi forcimin e partneritetit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Gjithashtu, ata u takuan me përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar situatën politike dhe sfidat aktuale në vend.
Delegacioni pritet të vijojë turin rajonal me një vizitë në Kosovë, ku priten takime me drejtues institucionalë. Kjo vizitë vjen pas kontakteve të mëparshme mes kongresistëve amerikanë dhe liderëve kosovarë, si pjesë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.
Në këtë kontekst, mbështetja e vazhdueshme e Kongresit amerikan për Kosovën dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor mbetet një element kyç në zhvillimet rajonale.







