×
Monday, May 11, 2026

Rama dekoron Tedi Papavramin: “Një muzikant-njeri, jo një njeri me instrument”

May 11, 2026


Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot, më 11 maj, në ceremoninë e dekorimit të violinistit të njohur Tedi Papavrami me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit të Republikës.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi lart figurën dhe kontributin artistik të Papavramit, duke theksuar se ai ka zhvilluar një nga përpjekjet më mbresëlënëse në art, me performanca të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Kryeministri e cilësoi atë si një figurë të rrallë në skenën artistike dhe shoqërore.

“Je një bashkëkohës, që është privilegj për të gjithë ne që të kemi. Në këtë vend janë dhënë 30 vite e kusur tituj e dekorata për dasma e koncerte, ndonjëherë dhe pa arsye. Të jesh i sigurt se kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti jeton në Francë prej shumë vitesh, e di se çfarë do të thotë të vishesh me kalorësinë e Republikës Franceze. Këtë kalorësi e ke merituar. Shqipëria nuk e kishte pak kohë më parë këtë Urdhër Kalorësie, që ne e rilindëm si një urdhër suprem 100-vjeçar të Shqiponjës dhe ishte dëshira e detyrimi im dhe i presidentit që ti të renditeshe ndër të parët e kalorësve të këtij urdhri për virtuozitetin tënd dhe larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual, shoqëror maksimalisht dinjitoz. Medaljet tona janë një proces shumë serioz balance,” u shpreh Rama.

Ai vijoi me vlerësime të mëtejshme për artistin:

“Ti je një prani bujare të qenit në radhë të parë një njeri shembullor, që do të ishte gjëja që do të donte ta prekte çdokush që ëndërron madhështinë në skenë. Madhështia e ngre dhe më lart njerëzllëkun tënd. Jam shumë krenar që i vendos Tedi Papavramit yllin e Urdhrit Suprem. Ky Urdhër është për Tedin aktor, Tedin njeri model për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë, për Tedin fenomen, për Tedin në shtegtim dhe gjithmonë mes nesh. Tedi është një muzikant-njeri, nuk është një njeri me instrument. Bahu thotë se madhështia nuk qëndron tek objekti, por tek fryma. Kur Tedi e ka instrumentin në krahë, instrumenti luan vetë”, tha Rama.

Ceremonia u zhvillua si pjesë e nderimit të figurave të shquara të kulturës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e Papavramit në promovimin e artit shqiptar në skenën ndërkombëtare.




Comments are closed.