Balla në Kongresin Kombëtar të Lutjes: Shqipëria ka nevojë për lidership që bashkon në një moment kyç për integrimin europian.
Në kuadër të Kongresit Kombëtar të Lutjes 2026, zhvilluar në Tiranë me temë “Udhëheqja në kohë të vështira”, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mbajti një fjalë me temën: “Si të udhëheqësh kur nuk ke të gjitha përgjigjet”.
Në aktivitet mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate të
Gjermanisë, Tilo Braune, i cili foli mbi etikën në udhëheqje, shoqëri, kishë dhe politikë.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm historik dhe politik, në një kohë kur vendi po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit europian dhe po përballet njëkohësisht me sfida globale, tensione gjeopolitike dhe polarizim të lartë shoqëror.
Ai u shpreh se pikërisht në këto momente testohet lidershipi i vërtetë: jo në kohë rehatie, por në kohë pasigurie dhe sfidash.

Duke iu referuar edhe thënies së Martin Luther King Jr se “vlera e vërtetë e një njeriu nuk matet
ë momente rehatie dhe komoditeti, por në kohë sfidash dhe polemikash”, Balla nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për liderë që bashkojnë dhe jo që përçajnë, që krijojnë besim dhe jo pasiguri.
“Procesi i integrimit europian është një provë e madhe lidershipi për Shqipërinë. Është e lehtë të flasësh për Europën; më e vështirë është të ndërtosh çdo ditë standardet europiane në institucione, në kulturën politike dhe në mënyrën si dialogojmë me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Balla theksoi se në periudha të rëndësishme për vendin, politika duhet të tregojë më shumë përgjegjësi, maturi dhe kulturë bashkëpunimi, pasi sfidat kombëtare nuk mund të përballohen përmes gjuhës së konfliktit dhe përçarjes së vazhdueshme.
Në fjalën e tij ai ndau edhe reflektime personale nga eksperienca në jetën publike, duke theksuar se qytetarët nuk presin perfeksion nga liderët, por ndershmëri, qartësi dhe aftësi për të ruajtur qetësinë dhe ekuilibrin në momentet e vështira.
Kongresi Kombëtar i Lutjes 2026 mblodhi në Tiranë përfaqësues fetarë, personalitete politike, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në një aktivitet të fokusuar tek etika në udhëheqje, përgjegjësia publike dhe roli i besimit në kohë sfidash.







