Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje homologut rus, Vladimir Putin, të ndalë agresionin ushtarak në Evropë dhe t’i hapë rrugë një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, ndërsa Uashingtoni ka shtyrë afatin për rishikimin e pranisë së forcave amerikane në kontinent.
Në një postim në platformën Truth Social më 26 nëntor, Trump deklaroi se gjatë bisedimeve të fundit me Putinin në Kinë i kishte kërkuar liderit rus të tërhiqej nga çdo agresion ushtarak kundër territoreve evropiane, me shpresën e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje ndërmjet Moskës dhe Kievit.
Deklaratat shënojnë një ashpërsim të retorikës së presidentit amerikan ndaj Rusisë, vetëm disa ditë pasi ai u kritikua për cilësimin e Putinit si “miku im”.
“Kam qenë shumë i ashpër ndaj Rusisë, por dua të arrij një marrëveshje”, deklaroi Trump, duke mbrojtur rëndësinë e marrëdhënieve personale në procesin e negociatave.
Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se kishte diskutuar gjerësisht me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me dislokimin e forcave amerikane në Evropë, gjatë një takimi në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Florida.
Sipas Radios Evropa e Lirë, zëvendësambasadori amerikan në NATO, Scott Oudkirk, informoi diplomatët e vendeve aleate se publikimi i rishikimit të pranisë ushtarake amerikane do të shtyhet përtej afatit fillestar të 1 dhjetorit.
Pentagoni po finalizon pesë alternativa për riorganizimin e forcave amerikane në Evropë, të cilat pritet t’i paraqiten presidentit Trump për vendimmarrje. Aktualisht, rreth 80 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në kontinent, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ndryshimet pritet të prekin edhe kontributin amerikan në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Komanda Evropiane e SHBA-së kishte konfirmuar më herët se kontributi amerikan do të përshtatet gradualisht, në përputhje me planet e aleancës.
Një nga arsyet e shtyrjes së rishikimit lidhet me vlerësimin e kapaciteteve që aleatët evropianë mund të ofrojnë për të zëvendësuar një pjesë të atyre amerikane, ndërsa Uashingtoni po zhvendos vëmendjen strategjike drejt rajonit të Indo-Paqësorit dhe hemisferës perëndimore.
James Batchik, zëvendësdrejtor i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, vlerësoi se shtyrja e afatit nuk ndryshon objektivin e administratës amerikane për transformimin e arkitekturës së sigurisë evropiane dhe rritjen e përgjegjësive të aleatëve në kuadër të konceptit “NATO 3.0”.
Ndërkohë, Tsiporah Fried, eksperte në Institutin Hudson, paralajmëroi se rreziku kryesor mbetet mospërputhja ndërmjet ritmit të reduktimit të forcave amerikane dhe aftësisë së vendeve evropiane për të zëvendësuar kapacitetet ushtarake, veçanërisht në inteligjencë, mbrojtje ajrore dhe logjistikë.
Mundësia e reduktimit të pranisë amerikane ka ngritur shqetësime veçanërisht në krahun lindor të NATO-s, lidhur me ruajtjen e kapaciteteve parandaluese ndaj Rusisë.
Çështja pritet të diskutohet edhe gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, javën e ardhshme, ndërsa administrata amerikane ende nuk ka përcaktuar një afat për shpalljen e vendimit përfundimtar.


