Hoxha takohet me Gerapetritis në Athinë, në fokus marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimi në BE

23 Nov 2026 • 17:35
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim dypalësh me homologun grek, George Gerapetritis, në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Athinë.

Në qendër të bisedimeve ishin forcimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, procesi i integrimit europian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon.

Gjatë takimit, dy ministrat rikonfirmuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe angazhimin për të vijuar dialogun e hapur dhe konstruktiv, me synim zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Reklamë Ola

“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Si vende fqinje dhe aleate në NATO, ne ndajmë përgjegjësinë për të kontribuar në një rajon më të sigurt, më të ndërlidhur dhe më të begatë”, deklaroi Hoxha.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rëndësisë së ruajtjes së ritmit të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Reklamë InterMedika

Ministri Hoxha theksoi se integrimi europian i rajonit përbën një investim strategjik për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të kontinentit.

“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”, u shpreh ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, duke nënvizuar angazhimin e qeverisë shqiptare për avancimin e negociatave përmes reformave dhe përmbushjes së detyrimeve të procesit të anëtarësimit.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet rajonale dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një periudhë kur çështjet e sigurisë dhe të ardhmes së Bashkimit Europian mbeten në qendër të agjendës politike.

Gjatë bisedimeve u theksua se Shqipëria dhe Greqia, si vende fqinje dhe aleate në NATO, ndajnë interesa të përbashkëta për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe forcimin e lidhjeve historike, ekonomike dhe njerëzore.

Në përfundim të takimit, ministri Hoxha shprehu kënaqësinë për të mirëpritur homologun grek, George Gerapetritis, në Shqipëri në një të ardhme të afërt, me qëllim vijimin e dialogut dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.