Hoxha takon shqiptarët në Greqi: Diaspora është atdheu ynë përtej kufijve

23 Nov 2026 • 11:50
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka nisur vizitën e tij të punës në Greqi me një takim me komunitetin shqiptar, ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave, mësues, të rinj dhe sipërmarrës shqiptarë.

Takimi u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në kuadër të aktiviteteve festive për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e kulturës dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe vendeve ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Reklamë Ola

“Shqiptaria nuk kufizohet me kufijtë tanë gjeografikë, ajo është dhe gjallon kudo ku një shqiptar jeton, punon, krijon, ndërton dhe kontribuon”, deklaroi Hoxha.

Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se diaspora është sot gjithnjë e më e lidhur me atdheun, jo vetëm përmes gjuhës, kulturës, kujtesës dhe rrënjëve familjare, por edhe përmes bashkëpunimit, mbrojtjes së të drejtave dhe zgjerimit të mundësive për angazhim.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe institucional të Shqipërisë.

Hoxha u ndal veçanërisht te procesi i integrimit europian, duke theksuar se realizimi i këtij objektivi kërkon kontributin e të gjithë shqiptarëve, përfshirë ata që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve të vendit.

“Ajo ka nevojë edhe për energjinë, dijen, përvojën dhe potencialin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Kjo ishte ftesa jonë në Samitin IV të Diasporës. Kjo është dhe mbetet ftesa jonë”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se diaspora nuk duhet parë vetëm si një komunitet që ruan lidhjet emocionale me vendlindjen, por edhe si një partnere aktive në zhvillimin e Shqipërisë dhe në forcimin e marrëdhënieve me vendet pritëse.

“Në këtë rrugëtim, diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë”, deklaroi Hoxha.

Ministri e përmbylli mesazhin e tij duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve kombëtare dhe të përfshirjes së shqiptarëve jashtë vendit në të ardhmen europiane të Shqipërisë.

“Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, përfundoi ai.

Takimi me komunitetin shqiptar në Greqi shënoi nisjen e vizitës së punës së ministrit Hoxha, duke vendosur në qendër të vëmendjes rolin e diasporës dhe rëndësinë e bashkëpunimit të saj me institucionet shqiptare.