Kallas vlerëson Shqipërinë: Ndër vendet më pranë anëtarësimit në BE

13 Nov 2026 • 19:23
Shpërndaje:

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit europian, duke theksuar rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE-së.

Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, Kallas deklaroi se Mali i Zi është pranë përfundimit të procesit të negociatave, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve që kanë shënuar përparim të rëndësishëm drejt anëtarësimit.

“Ne po vijojmë të bëjmë hapa përpara me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”, u shpreh Kallas.

Reklamë Ola

Ajo theksoi se, pavarësisht vështirësive, integrimi europian u ofron vendeve kandidate mundësi të rëndësishme ekonomike dhe sociale.

Sipas saj, përfitimet përfshijnë aksesin në tregun e përbashkët europian dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Reklamë InterMedika

Zgjerimi duhet të bazohet në merita dhe reforma

Kryediplomatja europiane nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të vijojë të mbështetet në rezultatet individuale të çdo vendi kandidat.

Ajo theksoi se respektimi i shtetit të së drejtës dhe përmbushja e standardeve themelore të Bashkimit Europian janë kushte të domosdoshme për anëtarësimin.

“Ky proces duhet të vijojë të jetë i bazuar në merita individuale. Zgjerimi duhet të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Europian”, deklaroi Kallas.

Sipas saj, është e rëndësishme që reformat të realizohen përpara anëtarësimit, pasi zbatimi i tyre mund të bëhet më i vështirë pasi një vend të jetë bërë pjesë e Unionit.

Kallas: Zgjerimi është një vendim gjeopolitik

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e cilësoi zgjerimin si një vendim me rëndësi gjeopolitike, veçanërisht në kushtet aktuale të sigurisë në Europë.

Ajo theksoi se institucionet europiane duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët për përfitimet që sjell pranimi i vendeve të reja anëtare.

“Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi, sepse është një vendim gjeopolitik. Në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen europiane”, u shpreh Kallas.

Deklaratat e saj vijnë në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Shqipëria synon mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian në vitin 2030. Realizimi i këtij objektivi mbetet i lidhur me përmbushjen e reformave dhe vendimmarrjen e vendeve anëtare të BE-së.