Kini kujdes nga votuesi i zemëruar. Ky është mesazhi që evropianët po nxjerrin nga humbja dërrmuese e pësuar nga republikanët e Donald Trump-it në zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA.
Zemërimi lidhur me koston e jetesës – faktor që ndihmoi në ngjitjen e presidentit amerikan në pushtet – tani është kthyer kundër tij. Dhe, me zgjedhjet që po afrojnë në vende të rëndësishme të BE-së, si Spanja, Italia, Franca, Greqia dhe Polonia, fati i Trump-it shërben si një paralajmërim për udhëheqësit aktualë në mbarë kontinentin.
Pakënaqësia në rritje për shkak të çmimeve të larta dhe banesave të papërballueshme pritet t’i sjellë telashe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila tashmë është përballur me valë protestash lidhur me çmimin e karburanteve.
Reagimi negativ në SHBA tregon se çfarë ndodh kur udhëheqësit populistë të krahut të djathtë marrin pushtetin, por më pas nuk i mbajnë premtimet e tyre, u shpreh Irene Tinagli, eurodeputete italiane nga Partia Demokratike (në opozitë).
“Trump erdhi me premtimin për të ulur koston e jetesës. Ai e kritikonte administratën e mëparshme për inflacionin. Premtoi se do të sillte sërish vende pune cilësore,” tha Tinagli. “Kjo nuk ndodhi.”
Sondazhet tregojnë se votuesit janë përqendruar te shqetësimet ekonomike, theksoi Mathieu Gallard, drejtor kërkimor në kompaninë e sondazheve “Ipsos”.
Demonstrues protestojnë kundër rritjes së çmimeve të banesave në Barcelonë, më 5 tetor 2026. | Manaure Quintero/AFP përmes Getty Images
Në Spanjë, përballueshmëria e kostove është tashmë një çështje kryesore në fushatën për zgjedhjet e planifikuara më 29 nëntor. Shumica e sondazheve parashikojnë se partia e ekstremit të djathtë “Vox” – e cila e ka akuzuar kryeministrin socialist Pedro Sánchez se nuk po plotëson nevojat bazë të qytetarëve – do të sigurojë mjaft vende për të hyrë në qeveri për herë të parë, si partner koalicioni me Partinë Popullore (konservatore).
Pavarësisht përkatësisë së tyre politike, udhëheqësit në pushtet janë të cenueshëm, u shpreh Gallard.
“Udhëheqësit e ekstremit të djathtë ose të së djathtës radikale, kur vijnë në pushtet, e gjejnë veten në të njëjtën situatë si partitë tradicionale dhe hasin në të njëjtat vështirësi,” shtoi ai, duke përmendur humbjen e Viktor Orbán-it në Hungari këtë vit, si dhe rënien e ndjeshme të mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë, “Demokratët e Suedisë”. Megjithatë, për forcat politike që sfidojnë status quo-në, si Marine Le Pen në Francë dhe partia e saj e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National), pakënaqësia e votuesve krijon një mundësi.
Kostoja e jetesës “do të jetë çështja kryesore në fushatë”, u shpreh Alexandre Loubet, ligjvënës i “Tubimit Kombëtar” dhe një nga hartuesit kryesorë të platformës ekonomike të Le Pen-it. “Avantazhi [për ne] është se jemi shumë konsekuentë lidhur me këtë çështje. Është pak a shumë si me imigracionin; njerëzit tashmë na lidhin me këto tema.”
Le Pen, e cila kryeson në garën presidenciale të pranverës së ardhshme, e ka bërë prej kohësh koston e jetesës një element qendror të platformës së saj dhe po përfiton nga vështirësitë aktuale ekonomike e fiskale me të cilat përballet qeveria.
Ajo e vendosi çështjen e banesave të përballueshme në qendër të fjalimit të saj të parë në fushatë dhe i ka forcuar premtimet për t’i mbrojtur pensionistët nga shkurtimet buxhetore që priten. Kjo figurë me përvojë e ekstremit të djathtë po bën fushatë gjithashtu për uljen e taksave mbi energjinë, duke i hedhur poshtë kritikat se propozimet e saj janë të papërballueshme financiarisht.
Hyrja e bllokuar e gjimnazit “Saint-Sernin” në Tuluzë, më 2 nëntor 2026. | Matthieu Rondel/AFP përmes Getty Images
Në kongresin e partisë së saj javën e kaluar, Le Pen përcolli një mesazh ndryshimi dhe shprese, duke huazuar termin “Rilindje” (Renaissance) – fjalën kyçe të rivalit të saj, Presidentit Emmanuel Macron – si moto të fushatës së saj.
Ky ton pozitiv “ishte i qëllimshëm”, tha Loubet. “Në vend mbretëron një ndjesi zymtësie. Ne duhet të ofrojmë pak shpresë, një vizion, një drejtim.”
Lëvizjet e fundit të protestës, që kanë përfshirë Spanjën, Francën, Italinë dhe – në një masë më të vogël – Gjermaninë, janë përqendruar te pakënaqësitë lidhur me koston e jetesës, veçanërisht për të rinjtë. Kjo pasqyron zemërimin që vërehet edhe në SHBA, ku sondazhet treguan se të rinjtë amerikanë ndjenin se situata e tyre ekonomike po përkeqësohej, ndërsa vendi po ecte në drejtimin e gabuar.
“Debati mbi përballueshmërinë ekonomike në Shtetet e Bashkuara ndahet sipas përkatësisë klasore,” u shpreh Penny Naas, nënkryetare e lartë në “German Marshall Fund”, një institut kërkimor (think tank) transatlantik. “Nëse jeni amerikan, nuk keni gjendje të mirë financiare dhe energjia zë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të familjes suaj, atëherë situata aktuale ju godet shumë më rëndë.”
“Ka disa ngjashmëri me atë që po ndodh në Evropë,” shtoi ajo, duke iu referuar protestave në shkolla në Francë, të cilat nisën në periferitë relativisht të varfra të qyteteve.
Deri më tani, kandidatët e qendrës e kanë pasur të vështirë të gjejnë mesazhin e duhur për këtë çështje. Rivali kryesor i Le Pen nga qendra, ish-kryeministri Edouard Philippe, e ka pasur të vështirë të fitojë mbështetje me një qasje të përqendruar te realizmi ekonomik.
Një protestë për të kërkuar më shumë fonde për shkollat dhe mbështetje për strehimin, më 30 tetor 2026 në Romë. Filippo Monteforte/AFP përmes Getty Images
Në Gjermani, partia konservatore e Kristian-Demokratëve, e kancelarit Friedrich Merz, po përballet gjithashtu me presion të shtuar, pasi ka pësuar një sërë humbjesh zgjedhore — duke humbur përballë së djathtës ekstreme në shtetet lindore dhe së majtës radikale në Berlin.
“Ajo që tregojnë këto zgjedhje është se, nëse dëshironi të fitoni zemrat…”/ Politico.eu


