Evropianët refuzojnë foton me Lavrovin, Rubio e heq nga programi i G20-s

31 Oct 2026 • 00:04
Shpërndaje:

Takimi dyditor i ministrave të Jashtëm të G20-s në Atlanta nisi pa fotografinë tradicionale të përbashkët, pasi disa përfaqësues evropianë refuzuan të pozonin përkrah ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, raporton Reuters.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vendosi ta anulonte fotografinë pasi diplomatë evropianë paralajmëruan se do të largoheshin nëse Lavrov do të merrte pjesë.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë Associated Press se vendimi synonte të shmangte zhvendosjen e vëmendjes nga diskutimet te mosmarrëveshja për fotografinë.

Reklamë Ola

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e kishte bërë të qartë kundërshtimin përpara mbledhjes.

“Në asnjë rast nuk do të ketë një fotografi familjare ku partnerët tanë evropianë të jenë së bashku me zotin Lavrov, sepse nuk ka normalitet me Rusinë”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Wadephul theksoi se mosmarrëveshjet me Moskën duhet të diskutohen në tryezë, pa dhënë sinjale për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe homologu polak, Radoslaw Sikorski, e mbështeti anulimin. Sipas një diplomati perëndimor, rreth një e treta e pjesëmarrësve, përfshirë përfaqësues nga Australia dhe Kanadaja, kishin kundërshtuar fotografinë.

Fillimisht ishte propozuar realizimi i dy fotografive, njëra me Lavrovin dhe tjetra pa të, por në fund ceremonia u hoq nga programi.

Ministrat vijojnë diskutimet në të njëjtën tryezë

Pavarësisht përplasjes, ministrat, përfshirë Lavrovin, morën pjesë në mbledhje.

Në hapje, Rubio kërkoi bashkëpunim përballë krizave ekonomike dhe gjeopolitike, duke përmendur rreziqet për tregtinë, furnizimin me energji e ushqime dhe lirinë e lundrimit.

Agjenda përfshin luftën në Ukrainë, konfliktin me Iranin, tarifat amerikane dhe tensionet në Detin e Kinës Jugore.

Ndarjet për marrëdhëniet me Moskën janë thelluar edhe pas vendimeve të fundit të presidentit Donald Trump, përfshirë lehtësimin e përkohshëm të disa sanksioneve dhe marrëveshjen për blerjen e naftës ruse.

Takimi në Atlanta i paraprin samitit të liderëve të G20-s, të parashikuar në dhjetor në Majami.

Në mbledhje mungon Afrika e Jugut, e cila nuk u ftua nga administrata amerikane. Autoritetet e saj theksuan se mospjesëmarrja nuk ishte zgjedhje e tyre.

G20 përfshin 19 shtete, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan.