Pas përplasjeve në Milano mund të ketë pasur një mobilizim të organizuar përmes rrjeteve sociale dhe materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale, raporton gazeta italiane La Repubblica.
Sipas gazetës, dyshimet lidhen me mundësinë që persona të caktuar të jenë kontaktuar për të shfrytëzuar zemërimin e tyre dhe për t’i përfshirë në trazira. Megjithatë, ende nuk është identifikuar se kush mund ta ketë drejtuar këtë veprimtari dhe, për momentin, nuk ka të dhëna që dëshmojnë ndërhyrje të huaj.
La Repubblica e mbështet raportimin te dëshmia që drejtori i Agjencisë për Informacionin dhe Sigurinë e Brendshme, Bruno Valensise, dha për më shumë se tri orë përpara Komisionit Parlamentar të Sigurisë.
Gazeta shkruan se një model i ngjashëm mobilizimi është vërejtur edhe gjatë trazirave në Ceuta të Spanjës. Ekspertët po përpiqen të përcaktojnë origjinën dhe mënyrën e funksionimit të këtij mekanizmi.
Disa ditë më parë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kishte ngritur mundësinë që ngjarjet në Milano të lidheshin me luftën hibride. Kjo mbetet një hipotezë.
Sipas raportimit, qarqe anarkiste dhe kundërshtuese ndaj sistemit po përpiqen gjithashtu të krijojnë kontakte me grupet e reja të shfaqura në protesta.
Ndërkohë, Milano po përgatitet për fundjavën me masa të shtuara sigurie, nga stacioni hekurudhor deri në qendër të qytetit. Krahas forcave të rendit, parashikohet prania e 500 parashutistëve të repartit ushtarak Folgore.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka deklaruar se, në rast nevoje, mund të përdoren edhe mjete të blinduara dhe dronë.


