Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti në takim atasheun e ri ushtarak të Turqisë në Tiranë, kolonel Murat İlhan, me të cilin diskutoi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.
Në takim mori pjesë edhe ambasadori turk në Shqipëri, Barış Ceyhun Erciyes. Palët rikonfirmuan rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe angazhimin për zgjerimin e tij.
Nufi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, duke veçuar kontributin në përgatitjen e personelit ushtarak.
“Arsimimi dhe stërvitja ushtarake mbeten shtylla të rëndësishme të bashkëpunimit tonë, të ndërtuar ndër vite përmes formimit të kadetëve, oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë në institucionet ushtarake turke”, u shpreh ministri.
Gjatë bisedimeve u shqyrtuan edhe mundësitë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, përmes investimeve, sipërmarrjeve të përbashkëta, bashkëprodhimit dhe transferimit të teknologjisë.
Këto fusha bashkëpunimi synojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, vijimin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe kontributin në sigurinë rajonale.


