“Tirana Fountain Tower”, Rama: Juria ndërkombëtare vendos e lirë, pala shqiptare është në minorancë

01 Oct 2026 • 12:27
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve konkurruese për “Tirana Fountain Tower”, që parashikon rizhvillimin e zonës ku ndodhet kompleksi i njohur si “Tajvani”, pranë Parkut Rinia në Tiranë.

Në fjalën e tij, Rama tha se projekti po i nënshtrohet një konkursi ndërkombëtar me synimin që përzgjedhja të bëhet mes disa alternativave arkitekturore.

Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një projekt privat në pronë private, por për shkak të pozicionit të tij në zemër të kryeqytetit, ndërhyrja duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e zonës.

Reklamë Ola

“Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, një mundësi zgjedhjeje të gjerë se cila do të jetë mënyra se si do të rizhvillohet Tajvani”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te mënyra e përzgjedhjes së projektit fitues, duke theksuar se shumica e anëtarëve të jurisë janë arkitektë, urbanistë, profesorë dhe akademikë ndërkombëtarë.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, anëtarët e jurisë janë të lirë në vendimmarrjen e tyre, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë janë në minorancë.

“Shumica e jurisë janë arkitektë, urbanistë, profesorë dhe akademikë të njohur. Ata janë tërësisht të lirë të vendosin për projektet. Pala shqiptare është në minorancë dhe asnjëherë nuk ka një orientim apo ndikim mbi jurinë”, u shpreh Rama.

Kryeministri mbrojti gjithashtu modelin e ndjekur nga qeveria për përfshirjen e arkitektëve të njohur ndërkombëtarë në projektet e mëdha që po zhvillohen në vend.

Ai iu përgjigj kritikave ndaj transformimit urban të Tiranës, duke thënë se konkurset ndërkombëtare përbëjnë, sipas tij, një proces transparent vendimmarrjeje.

Rama foli edhe për debatet lidhur me ruajtjen e trashëgimisë dhe ndryshimet që ka pësuar zona e Parkut Rinia ndër vite, duke argumentuar se hapësira ka kaluar disa faza transformimi, nga krijimi i parkut në vitet ’50 deri te zhvillimet e fillimviteve 2000.

Sipas kryeministrit, nevojat aktuale të Tiranës janë tashmë të ndryshme dhe kërkojnë një qasje të re ndaj zhvillimit urban.