Von der Leyen sot në Kosovë, në fokus integrimi në BE dhe Plani i Rritjes

01 Oct 2026 • 08:58
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vijon sot, më 1 tetor, turin e saj në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Kosovë, pas ndalesës së një dite më parë në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Europian, në qendër të vizitës do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe procesi i integrimit gradual në strukturat e Unionit.

Reklamë Ola

Një tjetër temë e rëndësishme është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro, i cili synon të lidhë reformat e vendeve të rajonit me përfitime konkrete ekonomike dhe afrimin gradual me tregun e përbashkët europian.

Gjatë vizitës në Kosovë, Von der Leyen do të vizitojë gjithashtu ambientet e reja të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës në Prishtinë, një projekt i financuar nga Bashkimi Europian.

Reklamë InterMedika

Pas Prishtinës, presidentja e Komisionit Europian do të udhëtojë po sot drejt Podgoricës, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, dhe kryeministrin Milojko Spajić.

Turi rajonal do të përfundojë të premten, më 2 tetor, në Maqedoninë e Veriut, me takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Një ditë më parë në Tiranë, Von der Leyen vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave, por kërkoi vijimin e reformave në fusha kyçe si drejtësia dhe mbrojtja e mjedisit.

Vizita e saj në rajon zhvillohet në një moment kur Komisioni Europian po përgatit hapa të rinj për zgjerimin dhe për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor.