Urgjenca Polivalente e QSUT-së po riorganizohet sipas një modeli të ri funksionimi, me synimin për të menaxhuar më mirë fluksin e pacientëve, për të përmirësuar koordinimin mes ekipeve dhe për të shkurtuar kohën e reagimit ndaj rasteve emergjente.
Vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2026, në këtë strukturë kanë marrë shërbim rreth 91 mijë pacientë, duke e bërë menaxhimin e fluksit një nga sfidat kryesore.
Gjatë një inspektimi në QSUT, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, deklaroi se një nga elementët kryesorë të organizimit të ri do të jetë triazhimi i pacientëve që në momentin e mbërritjes.
“Përveç faktit që duhet të lehtësojmë shërbimin dhe të kemi triazhimin që është i domosdoshëm, duhet të ndërgjegjësojmë më shumë qytetarët që rastet që nuk janë urgjente të zgjidhen nga mjeku i familjes”, u shpreh Spahiu.
Sipas ministres, një triazhim i saktë, i kombinuar me koordinimin mes QSUT-së dhe spitaleve rajonale për pacientët që referohen drejt qendrës terciare, pritet të ndikojë në përmirësimin e performancës së urgjencës.
Drejtoresha e QSUT-së, Rudina Degjoni, shpjegoi se hapësira është rikonceptuar për të lehtësuar lëvizjen dhe trajtimin e pacientëve.
Në modelin e ri, çdo pacient do t’i nënshtrohet fillimisht triazhit dhe më pas do të orientohet sipas nivelit të urgjencës dhe gjendjes shëndetësore, përmes kodit të bardhë, të verdhë ose të kuq.
“Kjo është urgjenca që e kemi rikonceptuar për t’i dhënë më shumë lehtësi pacientëve dhe më shumë hapësirë. Në këtë vend pacientit do t’i bëhet triazhi i parë dhe kalimi sipas kodit”, deklaroi Degjoni.
Riorganizimi synon që rastet më të rënda të marrin përparësi, ndërsa rastet që nuk kërkojnë trajtim emergjent të orientohen drejt strukturave të kujdesit parësor, duke reduktuar ngarkesën në Urgjencën e QSUT-së.


