Rama nga OKB për protestat e Zvërnecit: Qytetarët protestuan kundër një “fantazme”, AI mund të manipulojë çdo votues

25 Sep 2026 • 20:28
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka marrë si shembull protestat për Zvërnecin për të ilustruar rreziqet e dezinformimit dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Rama iu referua një imazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shfaqej një gardh me tela me gjemba dhe një tabelë që e paraqiste zonën e Zvërnecit si një kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Sipas kryeministrit, mbi këtë imazh u ndërtua dhe u përhap një narrativë e rreme për një “pushtim izraelit” të bregdetit shqiptar.

Reklamë Ola

“Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë”, deklaroi Rama.

Ai argumentoi se versione të ndryshme të së njëjtës narrativë u shpërndanë në rrjet për t’iu përshtatur frikërave dhe bindjeve të grupeve të ndryshme të qytetarëve.

Reklamë InterMedika

“Qytetari mori një histori të tradhtisë kombëtare, një tjetër të provokimit fetar, një tjetër për një pushtim të jashtëm. Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike”, tha ai.

Sipas Ramës, pasojat e dezinformimit nuk mbetën vetëm në botën virtuale, por ndikuan edhe në reagimin e qytetarëve.

“Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet”, deklaroi kryeministri.

Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” nisën pas kundërshtimeve ndaj një projekti turistik në zonën e Zvërnecit dhe u zgjeruan më pas në Tiranë, me kërkesa që përfshinin mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe kundërshtimin e mënyrës së menaxhimit të projektit. Flamingoja u kthye në simbol të lëvizjes. 

Në OKB, Rama e përdori rastin për të ngritur një shqetësim më të gjerë mbi ndikimin e teknologjisë në opinionin publik dhe proceset demokratike.

“Nuk ishte eksperiment, nuk po ju flas për film. Ishte një e martë në Tiranë. Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se teknologjitë e reja mund ta bëjnë manipulimin politik shumë më të personalizuar, duke shtuar se ndërhyrja në zgjedhje nuk kërkon më domosdoshmërisht një aparat tradicional propagande.

“Tashmë mund të ndikojë te vullneti i çdo votuesi”, deklaroi Rama.