Kuvendi jep “dritën jeshile”, Shqipëria do të dërgojë deri në 40 ushtarakë në Gaza

24 Sep 2026 14:52
Shpërndaje:

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.

Projektligji mori 106 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, duke marrë kështu mbështetje të gjerë në Parlament. 

Sipas ligjit të miratuar, Shqipëria mund të kontribuojë në mision me një kontingjent prej deri në 40 ushtarakësh. 

Reklamë Ola

Misioni i trupave shqiptare do të përfshijë mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, si dhe mbështetjen e operacioneve humanitare. Ushtarakët do të angazhohen gjithashtu në monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë dhe në detyra të tjera të përcaktuara nga mandati i misionit. 

Pjesëmarrja e Shqipërisë bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza dhe Bordit të Paqes, të ngritur si pjesë e nismës së presidentit amerikan Donald Trump për territorin palestinez. 

Reklamë InterMedika

Projektligji ishte propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishte dërguar për shqyrtim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Ligji parashikon gjithashtu që ushtarakët, përveç pagës mujore, të përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, masa e të cilave do të përcaktohet me vendim të qeverisë.