21 Janari, Balla: SPAK të mos shmangë përgjegjësitë me parashkrimin

20 Oct 2026 • 09:07
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shprehu besimin se SPAK do të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë për çështjen e 21 Janarit, ndërsa kërkoi që parashkrimi të mos përdoret për t’iu shmangur përgjegjësive.

I ftuar në emisionin “Real Story”, Balla deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka detyrime që burojnë nga vendimet gjyqësore.

“Kam shumë besim që Prokuroria e Posaçme do të respektojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut dhe po ashtu vendimin e Gjykatës së Lartë. Prokuroria e Posaçme ka disa detyra me vendim gjykate për t’i zbatuar”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Balla iu referua edhe rezolutës së miratuar nga Kuvendi në sesionin e kaluar, përmes së cilës, sipas tij, është kërkuar hetimi i çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, përfshirë 21 Janarin dhe Gërdecin.

Kreu i grupit socialist tha se nuk ka informacion mbi detajet e dosjes, por kundërshtoi mundësinë që parashkrimi të pengojë zbardhjen e përgjegjësive.

Reklamë InterMedika

“Unë nuk kam detaje të dosjes, se nuk kam si t’i kem, por përsëri mendoj që prokuroria nuk duhet t’i shmanget përgjegjësive me teorinë e parashkrimit”, deklaroi Balla.

Në këtë kontekst, ai përmendi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Bashën, duke kërkuar hetimin e përgjegjësive që mund të lidhen me ngjarjen.

“Besoj, shpresoj dhe uroj që prokurorët të mos përdorin elementin e parashkrimit për t’i shpëtuar përgjegjësisë, sepse në rastin në fjalë janë katër persona të vrarë”, tha ai.

Balla kërkoi që vrasjet dhe veprimet që, sipas tij, kanë çuar në atë që e cilësoi si “krim shtetëror”, të marrin përgjigje nga drejtësia.

Deklaratat lidhen me hetimet për ngjarjet e 21 Janarit, gjatë të cilave u vranë katër protestues.